Kryekuvendari Glauk Konjufca ka thënë se zhvillimet në veri janë mbulim i refuzimit serb të propozimit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ai theksoi se thelbi i këtij propozimi ka qenë që Serbia të heqë dorë prej Kosovës. Sipas tij, Serbia dëshiron të imponojë fakte të reja në teren, në mungesë të realizimit ‘Republikës serbe’, përmes dialogut. Ai i bëri thirrje të gjithë spektrit politik që të jenë të bashkuar.
Këto komente Konjufca i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, ku theksoi se dorëzimi i mandatit të deputetëve të Listës Serbe nuk paraqet ndonjë krizë kushtetuese.
“Përpjekja e Vuçiqit e përkthyer politikisht ka filluar ditën e djeshme vetëm për një arsye. Arsyeja e vërtet e orkestrimit të krejt këtyre akteve është të mbulojë atë që ka qenë thelbësore, që Serbia zyrtarisht e ka refuzuar planin franko-gjerman. Të gjitha këto Serbia po i orkestron për të filluar një fazë të re politike në Kosovë. Refuzim i planit që është propozuar për normalizimin e marrëdhënieve, përpjekje për të kontrolluar situatën në një pjesë të territorit të Kosovës dhe pastaj për të imponuar fakte të reja në teren, në të cilat Republika e Kosovës dorëzohet. Ne i sigurojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se kjo nuk do të ndodh. Kosova nuk dorëzohet, Kosova i realizon ligjet e veta, sundimin e ligjit dhe Kushtetutën. Përpjekjet e Vuçiqit që me ia dhënë një drejtim tjetër dialogut përmes barrikadave, dorëheqjeve dhe sfidimit të situatës së sigurisë do të dështojnë. Përpjekja e tij është për të krijuar një Republikë serbe në Kosovë… Është fjala për një formacion sido që quani ju i cili ka kompetenca ekzekutive dhe është i shkëputur krejtësisht prej vendimit të Qeverisë dhe shtetit tonë. Ky ka qenë qëllimi i Serbisë prej 12 qershorit 1999 dhe është munduar të realizojë këtë qëllim. Tash kur e ka kuptuar se nuk po mundet ta realizojë me dialog dhe negociata me propozime ndërkombëtare që po vijnë, njëri prej tyre edhe plani franko-gjerman. Kur e ka kuptuar se kanë përfunduar gjitha shanset për të realizuar në mënyrë ndërkombëtare dhe ligjore, pasi ka marrë mesazhin e qartë edhe prej ShBA-së, Britanisë së Madhe se s’ka ‘Republikë serbe’ në Kosovë, atëherë kanë marrë planin b. Kjo që po shihet është plani b i Serbisë, plani a ka qenë që me dialog për të krijuar ‘Republikën serbe’ në Kosovë, tash e ka filluar planin b, i cili do të dështojë”, tha Konjufca.
Ai tha se substanca e propozimit franko-gjerman është që të respektohet në mënyrë reciproke sovraniteti mes Kosovës dhe Serbisë.
“Edhe ne i kemi vërejtjet tona, por thelbi i propozimit është ky që Serbia të heq dorë prej Kosovës. Nëse e kuptoni substancën e projektit franko-gjerman është për të respektuar në mënyrë reciproke sovranitetin mes dy shteteve. Tash unë mendoj se kjo është arsyeja kryesore pse është refuzuar prej Serbisë dhe arsyeja që filloi plani b i Serbisë në zhvillimet që po i shihni në veri të Kosovës”, shtoi ai.
Duke folur për dorëzimin e mandatit të deputetëve të Listës Serbe, kreu i legjislativit tha se të njëjtit do të zëvendësohen dhe se procedurat për këtë çështje janë të qarta.
“Ne do të procedojmë sipas ligjit të Kosovës, i cili thotë se ata duhet të zëvendësohen. Unë do t’i drejtohem presidentes së vendit, pastaj procedurat e tjera thonë se presidentja i drejtohet KQZ-së, pastaj KQZ-ja i përgjigjet presidentes me propozimet e reja, të cilat mesa e di unë prapë vijnë nga e njëjta listë dhe i njëjti grup parlamentar. Pastaj edhe nëse ata refuzojnë të tjerë që janë në radhë, procedura përsëritet, derisa t’i plotësojnë vendet e reja të deputetëve nga pakica serbe…7:58 Me këtë ngjarje nuk ka ndodhur asnjë rrezikim i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Mendoj se vetëm kuantitativisht na ka ndodhur një dorëheqje më e madhe, pasi këso dorëheqjeje nuk kemi pasur kurrë në Kuvendin e Kosovës. Por në aspektin ligjor dhe kushtetues është e njëjta procedurë siç ndodh me deputetë të tjerë, kur nuk dëshriojnë të jetë deputet. Këtë rast ne kemi një grup parlamentar, rast specifik, por edhe për këtë rast janë të qarta procedurat ligjore. S’ka asnjë hendek kushtetues dhe as nuk rrezikohet Kuvendi i Kosovës…Pse në Kuvend përkohësisht do të jetë 110 deputetë dhe nuk do të jetë 120 deputetë, kjo nuk është aspak antikushtetuese. Këto i parasheh Kushtetuta si mundësi dhe i sqaron të gjitha procedurat për zëvendësimin e tyre. Ne nuk jemi në krizë kushtetuese pas kësaj dorëheqje, por jemi në procedura normale të zëvendësimit të tyre”, theksoi ai.
Konjufca tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk mund të dërgojë në zgjedhje Kosovën, andaj tha se i gjithë spektri politik në Kosovë duhet të jetë i bashkuar.
“Nuk kisha pas dëshirë me mendu që Aleksandër Vuçiq mundet me dërguar në zgjedhje Republikën e Kosovës kur të dëshiron. Këtu të jemi të qartë, nëse ky ka qenë qëllimi i Serbisë që të shkaktojë në Kosovë zgjedhje apo destabilizim, apo zgjedhjet si rezultat i destabilizimit të situatës së sigurisë në Republikën tonë, atëherë mendoj se kjo nuk është mundshme dhe i gjithë spektri politik është i bashkuar në Kosovë se kjo është e palejueshme dhe patolerueshme. Shpresoj që edhe me opozitën të kemi një pajtueshmëri që ky do të ishte seriozisht një cenim serioz i themeleve të funksionalitetit të shtetit të Kosovës….20:08 E ftoj spektrin politik që jemi që të jemi të bashkuar në qëllime së paku, pasi duhet të jemi të bashkuar. Ato do t’i kemi të bashkuara nëse kemi këtë lexim si e shpjegova” , tha Konjufca.
Konjufca shtoi se çështja e targave ilegale është vetëm pretekst, pasi dirigjenti i gjitha zhvillimeve në veri është presidenti serb, Vuçiq.
“Gjithçka që po shohim këto ditë të fundit, sa i përket reagimit, bllokadave, përpjekjeve për sabotim, dorëheqjeve prej deputetëve, kryetarëve të komunave, dorëheqjet në institucionet e sigurisë, të gjitha janë një orkestrim në të cilin dirigjenti i padiskutueshëm është Aleksandër Vuçiq dhe Serbia. Këto nuk kanë fare të bëjnë me një reagim spontan të popullatës serbe në Kosovë. Pasi i kemi serbët në komunat e tjera dhe veprime e tyre mund t’i krahasoni. Çfarë targa kanë serbët e Garancisë, çfarë targa kanë serbët e Kllokotit.. Situata e sigurisë në Kosovë është në kontroll. Policia e Republikës së Kosovës është e pranishme në atë pjesë të territorit sipas ligjeve. Edhe në kufi dhe dogana tona të cilat janë pika ku hyhet në Republikë e Kosovës”, deklaroi Konjufca.
Ai ritheksoi se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të mira dhe stabile.