Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca deklaroi se Kosova dhe Serbia janë shumë larg arritjes së një marrëveshjeje për Asociacionin e komunave me shumicë serbe për shkak të qëndrimeve të palëve.
Ai tha se duhet të ndryshojë Serbia në mënyrë që të ketë një marrëveshje.
Konjufca përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shkarkuar ekipin menaxhues për propozimin e draftstatutit të Asociacionit, ndërsa paralajmëroi se Kosova nuk do të heq dorë nga parimet e saj në lidhje me këtë mekanizëm e që nuk do të lejojë të ketë kompetenca ekzekutive.
Kryetari i Kuvendit kritikoi ekipin menaxhues që ka propozuar draftstatutin e Asociacionit duke thënë se mbrojti interesat e Serbisë dhe jo të Republikës së Kosovës, pavarësisht se ishte emëruar nga qeveritë e mëparshme, të cilat nuk i kurseu gjithashtu nga kritikat.
“Gjithçka ishte e pritshme lidhur me atë që ndodhi, ekipi menaxhues i cili ishte vendosur prej qeverive të mëparshme të Republikës së Kosovës pati një qëndrim vërtetë tronditës për neve meqenëse atje prezantoi interesat e Republikës së Serbisë, jo interesat e Republikës së Kosovës. Po shihni edhe vetë se çfarë ekipi menaxhues dhe çfarë institucionesh kanë vendosur qeveritë e mëparshme, kanë vendosur zyrtarë të cilët absolutisht nuk kanë lidhje me interesa të Kosovës, bile-bile njëra prej tyre ishte bërë deputete në Parlamentin e Serbisë dhe ishte deputete e partisë së Aleksandër Vuçiqit. Kështu që nuk patëm ne çfarë të presim tjetër prej këtij ekipi menaxhues, ky ekip menaxhues e prezantoi një draftstatut i cili faktikisht është një lloj ‘Republike serbe’ brenda Republikës së Kosovës”, deklaroi Konjufca.
Konjufca deklaroi se çdo propozim për statut të Asociacionit duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe se çdo zgjidhje që jepet përtej kornizave të Kushtetutës është e pavlefshme.
Ai tha se i pëlqeu dhe e mbështet aktin e shkarkimit të ekipit menaxhues.
“Një ekip i cili përfaqëson interesat e Aleksandër Vuçiqit e jo interesat e popullit tonë, i cili ka sakrifikuar shumë që të arrihet shteti dhe liria, nuk ka çfarë të kërkojë në pozicione zyrtare, nuk ka se si të përfaqësojë popullin dhe qytetarët e Kosovës, pra ata e përfaqësuan Serbinë në ditën e djeshme dhe fort mirë që u shkarkuan… Shumë mirë ka vepruar Qeveria e Kosovës, për ne nuk është kurrfarë befasie sepse personat të cilët janë caktuar prej Vuçiqit dhe prej Rakiqit, nuk mund të shkruanin statut tjetër, natyrisht që e kanë shkruar për të shkatërruar Republikën e Kosovës dhe funksionimin unitar të shtetit tonë”, vijoi Konjufca.
Kreu i Kuvendit u shpreh se shteti serb duhet të braktisë politikat e tij të nacionalizimit fashist që i ka trashëguar nga Millosheviqi.
Sipas tij, Kushtetua e Kosovës lejon që Asociacioni të jetë në formën e një shoqate.
“Ajo çka lejon Kushtetua është shumë e kufizuar. Nëse do të dëshironim të krijonim një hapësirë për një Asociacion i cili do të ishte plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, për besë hapësira është shumë e vogël, hapësira është të krijohet një Asociacion simbolik diçka, e cila do të ishte në formë të një shoqate. Nuk ka mundësi më shumë, s’ka hapësirë për institucione të karakterit ekzekutiv. Kjo është e papranueshme për Serbinë por punë e madhe që është e papranueshme për Serbinë kjo është ajo që ne përfaqësojmë, këto janë interesat tona dhe prej këtyre nuk lëshojmë pe”, tha Konjufca.
Theksojmë se sot Ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka liruar nga detyra katër anëtarët serbë të ekipit menaxhues për themelimin e Asociacionit.