Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, derisa theksoi se është e domosdoshme që Kosova dhe Shqipëria t’i koordinojnë dhe bashkërendojnë sa më mirë hapat për të ecur përpara si një komb në rrugën e përparimit dhe zhvillimit të përbashkët.
Përmes një shkrimi në Facebook, kryeparlamentari Konjufca tha se dy shtetet po e dëshmojnë çdo ditë e më bindshëm veten në anën e mbarë të historisë, të së drejtës dhe demokracisë.
Shkrimi i plotë:
Sot kisha nderin dhe kënaqësinë e veçantë ta mirëpres në një takim të përzemërt e vëllazëror Presidentin e sapozgjedhur të Republikës së Shqipërisë, z.Bajram Begaj.
Presidentin Begaj e falënderova që në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit ka zgjedhur pikërisht Kosovën dhe e urova për detyrën e re, duke i dëshiruar suksese në angazhimet dhe punët shtetërore që e presin.
Kosova dhe Shqipëria ndajnë organikisht dhe në mënyrë natyrale të njëjtat vlera. Prandaj është e domosdoshme të vazhdojmë t’i koordinojmë dhe bashkërendojmë sa më mirë hapat për të ecur përpara si një komb në rrugën e përparimit dhe zhvillimit të përbashkët.
Shtetet tona po ashtu me vendosmëri e kanë dëshmuar dhe po e dëshmojnë çdo ditë e më bindshëm veten në anën e mbarë të historisë, të së drejtës dhe demokracisë. Interes yni parësor, vullnet, vizion dhe orientim i qartë deri në pikëmbërritje mbetet integrimi euroatlantik dhe askush nuk mund t’i zhvendosë shqiptarët nga kjo rrugë.
Vizita e presidentit Begaj në Kosovë është pa dyshim konfirmim i lidhjes sonë të veçantë dhe bashkëpunimit unik vëllazëror, mbështetur gjithnjë në parimin një komb, një qëndrim.