“Gjeopolitika e re pas agresionit rus kundër Ukrainës”, ishte temë diskutimi ndërmjet akterëve të politikës kosovare dhe atyre të Bashkimit Evropian, në konferencën e organizuar nga Kolegji Universum, Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) dhe Forumi Ballkanik (BF), raporton Ekonomia Online.
Të pranishëm ishin politikanë të shquar të ShBA-së, Britanisë së Madhe, BE-së, diplomatë, deputetë dhe aktorë të shoqërisë civile, për të diskutuar rreth zhvillimeve globale dhe implikimeve për BB-në.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar se nuk beson që do të arrihet një marrëveshje për normalizim raportesh Kosovë-Serbi, sepse qasja e shtetit serb është në ruajtjen e marrëdhënieve me Rusinë. Konjufca, deklaroi se ai personalisht s’është optimist.
“Nuk jam optimist në arritje të një marrëveshje të shpejtë me Serbinë. Nëse diçka e tillë të ndodhte, pra sikur Serbia ta njihte Kosovën, do t’i shërbente jo vetëm rajonit, por gjithë Evropës. Sepse besoj që një njohje e Kosovës nga Serbia është e mirë për gjithë Evropën, pasi do të mbyllte disa çështje shumë të rëndësishme”.
Me përbërjen e re, në krye me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Konjufca tha se “Serbia tashmë e ka dhënë mesazhin e qartë” se “cili është drejtimi i tyre”.
“E gjithë struktura e rëndësishme e Serbisë, inteligjenca, ushtria, policia, dhe politika e brendshme është e udhëhequr nga personalitete që hapur thonë se Serbia duhet të bashkëpunojë me Rusinë. Vulin për shembull që tani udhëheqë me inteligjencën, pastaj Ivica Daçiq që është rikthyer si udhëheqës i politikës së jashtme dhe vetë Vuçiç tashmë”.
Ata, shtoi Konjufca, tashmë “kanë treguar se çfarë rruge duan të ndjekin”.Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, deklaroi se megjithëse është kritike e madhe e Vuçiqit, “nuk do të ngutesha e ta krahasoja atë me Putinin”.
“Ai ka interesa të tjera, e vërtetë, me të cilat totalisht nuk pajtona, por gjithashtu është për një bashkëpunim dhe e di se zgjidhja vjen përmes dialogut”.
“Prandaj nuk do të ngutesha me atë konstatim dhe t’i bëja të dy të njëjtë”, tha ajo.Konferenca ishte vazhdimësi e përpjekjeve kolektive të Kolegjit Universum (UC), Institutit Kosovar për Kërkime Politike dhe Zhvillim (KIPRED) dhe Forumit Ballkanik (BF), që synojnë dhe lehtësojnë dialogun dhe ndërveprimin për paqen, sigurinë e proceseve të integrimit Atlantik dhe implikimet për rajonin perëndimor dhe më gjerë në Evropë.EO