Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se në vend që Serbia të gjykohej për gjenocidin ndaj popullit shqiptar, sot Kosova ndodhet e ulur në bankat e drejtësisë.
“Jemi në 24-vjetorin e masakrës së Rezallës, në një prej akteve gjenocidale më të mëdha që i ka bërë Serbia në Kosovë. Kjo së bashku me gjithë masakrat e kryera nga aparati shtetëror e ushtarak i Serbisë e përbëjnë gjenocidin që ky shtet e ka ushtruar mbi popullin e Kosovës. Këtu të gjitha po i kujtojmë në kohën kur nuk është Serbia ajo që po gjykohet dhe ta marrë dënimin e merituar, me gjithë ata kriminelë lufte që i mban brenda, por është pikërisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe pjesëtarët e saj, vetë Kosova është e ulur në bankën e drejtësisë, kjo nuk mund të përjetohet ndryshe veç si padrejtësi”, deklaroi Konjufca.
Sipas Konjufcës, 24 vjet pas masakrave, krimeve e gjenocidit ndaj popullit shqiptar, askush nuk e ka menduar se “do të ishim ne që duhet të arsyetojmë që nuk kemi qenë kriminelë dhe nuk kemi qenë agresori, por Serbia me gjithë ata ushtarë e policë që vranë qytetarë të pafajshëm, pleq, gra e fëmijë, veç pse ishim shqiptarë”.