Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka kujtuar heroin e luftës çlirimtare, Agron Rrahmanin, sot në 25-vjetorin e rënies së tij dëshmor.
Konjuca ka thënë se Rrahmani ka qenë i brumosur në frymën e historisë së rezistencës së popullit shqiptar.
“I brumosur në frymën e historisë së rezistencës së popullit shqiptar, Agroni e gjeti veten shpejt në rolin e një prej organizatorëve të demonstratave në Besianë gjatë viteve 1989-1990, gjë që u vërejt nga regjimi serb, e pas të cilave arrestohet dhe dënohet me 2 muaj burgim”.
“Agron Rrahmani admironte dhe ndiqte shembullin e atyre që e deshën atdheun e që për të ishin të gatshëm të japin gjithçka. Ai së bashku me Bahri Fazliun, themeluesin e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, nuk i ndanë rrugët deri në fund”.
Konjucfa ka shtuar se Rrahmani zotëronte aftësitë e organizimit luftarak dhe përgatitjes ushtarake të vullnetarëve që më vonë do të ishin ushtarë të luftës çlirimtare
“Në qendrën stërvitore në Tiranë, ku kontribuoi fuqishëm për ngritjen e saj dhe që më vonë do të mbante emrin e tij, do të stërviteshin disa qindra vullnetarë. Ai do të bëhej komandant i njësitit gueril ‘Rexhep Mala’, në Prishtinë, deri kur lavdishëm ra dëshmor në një përballje të armatosur me forcat serbe, më 12 maj të vitit 1998”.
“Si popull dhe si institucione duhet t’i nderojmë dëshmorët tanë, jo për të kryer punë me ta, por në atë mënyrë që punët tona të jenë sa më pranë frymës së tyre. Institucionet me frymën e dëshmorëve, besnikëria ndaj idealit të tyre, janë nderimi më i mirë që mund ta bëjmë për ta. Ata dhanë gjithçka, ndërsa ne duhet të marrim aspiratën e tyre për ta çuar përpara”.