I pyetur në lidhje me çështjen e negociatave Kryeministri Edi Rama u shpreh se qeveria do të bëjë detyrën dhe se kur caktohen datat, kjo është çështje e BE-së.
“Unë nuk kam ndryshuar qëndrim dhe kam po atë masë buzëqeshje kur kisha edhe kur situata ishte më e ngatërruar seç duket se është sot. Ne do bëjmë tonën, se kur caktohen datat dhe se kur merren vendimet nga ana e tyre, është çështje e tyre. Barometri objektiv i punës sonë, është po ajo që ka qenë, pikëpamja e Komisionit Europian. Është një autoritetet me një kompetencë shumë më të madhe se gjithë të tjerët për të gjykuar progresin, problematikat, për të gjykuar çfarë është arritur ose jo. Sa kohë me Komisionin Europin jemi në rregull, unë jam shumë i qetë. Sepse e di që tanimë pak shqiptarë besoj kanë mbetur pa e mësuar, që është fakti i thjeshtë që BE, është një krijesë me tekat e veta, me hallet e veta, me kapriçot dhe dobësitë e veta. Kështu që unë jam i qetë që ne kemi bërë tonën dhe do vazhdojmë të bëjmë tonën. Më vjen shumë mirë që gjithë çka kemi bërë sidomos në Bruksel së bashku me kolegët e tjerë të rajonit, ka qenë plotësisht gjëja e duhur, dhe ka pasur impakt... Tani të shohim, mund të jetë nesër, pasnesër, pa një javë, një muaji, pas 10 vjetësh, kjo për mua ka shumë pak rëndësi”.