20 mijë euro më shumë se vitin e kaluar, Komuna e Prishtinës i ka buxhetuar për dekorimin e kryeqytetit për festat e fundivitit.
Nga 50 mijë sa ishin ndarë vitin 2021, tashmë janë paraparë 70 mijë euro për ndriçimin e kryeqytetit.
Në përgjigjen e dhënë për Gazetën Online Reporteri.net, Komuna thotë se janë ndarë deri në 70,000 euro buxhet për dekorim, por bazuar në vendimin e Qeverisë për masat detyruese për kursim të energjisë thuhet “të ndalohet i gjithë ndriçimi dekorativ në hapësira publike”.
“Komuna e Prishtinës ka ndarë buxhet deri në 70000 euro për dekorim të kryeqytetit për këtë vit, megjithatë bazuar në Vendimin e Qeverise me nr.28/96 për Masat detyruese për kursim të energjisë – në masat detyruese të ndriçimit publik të këtij Vendimi pika 2 thuhet: “Të ndalohet i gjithë ndriçimi dekorativ në hapësira publike”, tha Arlinda Kastrati nga Zyra për media në Komunën e Prishtinës.
Megjithashtë, nga Komuna bëjnë të ditur se janë në komunikim me Qeverinë lidhur me këtë çështje, dhe se ende nuk është vendosur nëse do të ndodh edhe këtë vit dekorimi i kryeqytetit.
“Komuna e Prishtinës është në komunikim të vazhdueshëm me nivelin qendror për shqyrtimin e kësaj pike, në momentin që merret një vendim në koordinim me nivelin qendror, do të ju njoftojmë me kohë”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prishtinës.