Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka pritur sot në takim një delegacion nga Komisioni për Çështje Evropiane të Parlamentit të Kroacisë.
Kryetari i komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi, ka njoftuar se në këtë takim është diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët e çështje të tjera.
“Përpos bashkëpunimit bilateral në mes të dy shteteve tona, atij ndërparlamentar dhe ekonomik, temat tjera që u diskutuan gjatë këtij takimi kishin të bënin edhe me disa nga prioritetet e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, njëherit Politikës sonë të Jashtme, e që janë anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, partneriteti për Paqe, si dhe bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, ku të gjitha vendet e rajonit gëzojnë trajtim të barabartë”, ka shkruar Abazi në Facebook.
Postimi i plotë:
Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme dhe Diasporë mirëpriti sot në takim një delegacion nga Komisioni për Çështje Evropiane të Parlamentit të Kroacisë, të kryesuar nga Kryetari i këtij Komisioni, Z. Domagoj Hajduković.
Përpos bashkëpunimit bilateral në mes të dy shteteve tona, atij ndërparlamentar dhe ekonomik, temat tjera që u diskutuan gjatë këtij takimi kishin të bënin edhe me disa nga prioritetet e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, njëherit Politikës sonë të Jashtme, e që janë anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, partneriteti për Paqe, si dhe bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, ku të gjitha vendet e rajonit gëzojnë trajtim të barabartë.
Gjatë këtij takimi u bisedua po ashtu edhe për situatën në Ukrainë, procesin e dialogut Kosovë-Serbi, procesin e integrimit të Kosovës në BE, situatën me 5 vendet të BE që ende nuk e kanë njohur Pavarësinë e Kosovës, si dhe procesin e liberalizimit të vizave.
Krejt në fund, u dakorduam që të vazhdojmë bashkëpunimin dhe thellimin e marrëdhënieve ndërparlamendare dhe realizimin e vizitave të komisioneve homologe.