Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar raportin për Kosovën.
43 eurodeputetë kanë votuar pro, nëntë kundër dhe pesë kanë abstenuar në votimin për Raportin për Kosovën në Komisonin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian.
Në tekstin e prezantuar nga raportuesja, Viola von Cramon i bëhet thirrje Këshillit të Bashkimit Evropian që urgjentisht të marrë vendimin për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Gjithashtu në këtë raport përfshihet edhe mbështetja ndaj kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe aspiratën për t’u anëtarësuar në BE, si dhe thirrja për pesë vendet anëtarë të bllokut evropian, të cilat nuk e kanë njohur ende shtetësinë e Kosovës, që ta bëjnë një gjë të tillë.
Në bazë të dokumentit i i cili pritet të diskutohet më 14 qershor, Parlamenti Evropian shprehet i kënaqur që Kosova u është bashkuar të gjitha qëndrimeve të Bashkimit Evropian, në lidhje me agresionin rus ndaj Ukrainës, ku edhe ka vendosur sanksione ndërsa me rezolutë të veçantë në Kuvend ka dënuar këtë agresion.
Në lidhje me raportin për Kosovën janë paraqitur më shumë se 300 amendamente. Një numër i madh i tyre janë paraqitur për disa deputetë nga Spanja, të cilët kanë propozuar që nga raporti të largohen të gjitha referencat që e trajtojnë Kosovën si shtet.
Kurse disa deputetë nga e djathta ekstreme,më së shumti nga Gjermania dhe Franca, kanë propozuar që në vend të thirrjes për liberalizim vizash, të thuhet se vizat nuk duhet të liberalizohen në një të ardhme të afërt.
Pas votimit në Komisionin për Politikë të Jashtme, raportet për të tria shtetet do të diskutohen dhe do të miratohen si rezoluta të Parlamentit Evropian.
Këto rezoluta kanë peshë politike, por nuk janë obliguese për vendet anëtare të BE-së.