Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar që posa ka nis shqyrtimi dhe më pas votimi i dy opinioneve për vettingun në sistemin e drejtësisë dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Përndryshe, një delegacion nga Komisioni i Venecias qëndroi në Kosovë, të cilëve ministrja Haxhi pati thënë se do t’u tregojnë për nevojën që e ka Kosova për vettingun.
“Shqyrtimi dhe më pas votimi i dy opinioneve për vetingun në sistemin e drejtësisë dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme”, ka shkruar Haxhiu në një postim në rrjetin social “Facebook”.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës ka dërguar kërkesë për opinion për Projektligjin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Komisionin e Venecias.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte deklaruar se në muajin qershor pritet që ky komision të japë qëndrim rreth këtij projektligji.
Nga Ministria e Drejtësisë ditë më parë për Demokracia.com kanë thënë se mendimi i Komisionit të Venecias pritet të kthehet në fund të këtij muaji.
“Fillimisht ju njoftojmë se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dërguar kërkesën për opinion për projektligjin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme në Komisionin e Venecias. Ashtu siç ka deklaruar Ministrja Haxhiu, në fund të muajit qershor, pritet të mbahet seanca plenare për trajtimin e kërkesës së Kuvendit lidhur me Projektligjin në fjalë, kur edhe pritet qëndrimi i Komisionit të Venecias lidhur më këtë çështje.”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për Demokracia.com.
Të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë, nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme. Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.