Ish-ministrja e Energjisë, Justina Shiroka-Pula dhe ish-ministri Bedri Hamza, tash kryetar i Komunës së Mitrovicës, janë ftuar në cilësinë e dëshmitarëve nga Komisioni Hetimor për Energjinë, i cili do të hetojë proceset vendimmarrëse në këtë sektor për periudhën 2006-2022.
Listën e të ftuarve e ka bërë të ditur anëtari i Komisionit Hetimor, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.
Por deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, ka kërkuar që listës së dëshmitarëve t’i shtohen edhe dy emra. Ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari, Kadri Veseli, kanë qenë dy propozimet e deputetit të VV-së.
Muja ka propozuar të ftohen si dëshmitarë edhe ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj.
Pastaj në lidhje me vendimmarjen e ZRRE-së, deputeti Muja ka propozuar të ftohet edhe ish-kreu i Bordit të KEK-ut, Berat Rukiqi, i cili qe disa vite udhëheq Odën Ekonomike të Kosovës.
Po ashtu, ai ka propozuar ftesën për drejtorin e KEDS-in, biznesmenin turk, Alpin Dogan.
Lista e propozuar nga Muja nuk është shqyrtuar dhe votuar ende nga Komisioni Hetimor.
Kryesues i këtij komisioni është deputeti Hajdar Beqa nga PDK-ja.Anëtari tjetër nga kjo parti është edhe Rashit Qalaj.
Nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), anëtarë të këtij komisioni janë deputetët Armend Muja, Haki Abazi, Arbër Rexhaj, Halil Thaçi (zëvëndëskryesues i Komisionit) Armend Muja.
Ndërsa nga LDK anëtarë janë Armend Zemaj dhe Rezarta Krasniqi. Nga AAK-ja anëtare është deputetja Time Kadrijaj. Prej Listes Serbe (LS) anëtar është Ljubinko Karadziq, si dhe nga grupi multietnik anëtare është Duda Balje. /EO