Kombëtarja e Kosovës U21 po i vazhdon përgatitjet me intensitet dhe me entuziazëm për ndeshjen e radhës kundër Anglisë U21, që zhvillohet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Fitorja kundër Andorrës e ka rritur vetëbesimin te ekipi i drejtuar nga Albert Bunjaki, megjithëse të gjithë janë të vetëdijshëm se kësaj radhe përballë do të kenë një kundërshtar të një niveli krejt tjetër, me lojtarë që kanë përvojë edhe në Ligën Premiere.
Bunjaki është shprehur i kënaqur me shumë elemente të lojës kundër Andorrës, e veçmas me futbollistët e gjeneratës më të re, pasi prej 24 futbollistëve të grumbulluar 14 prej tyre kanë të drejtë të luajnë në kualifikimet e ardhshme.
“Më gëzon fakti se 8 lojtarë që kanë luajtur në pjesën e dytë kundër Andorrës e kanë mundësinë që të luajnë edhe në ciklin e ardhshëm kualifikues. Objektivi ynë është që në këto tri ndeshje së paku t’i marrim katër pikë dhe eventualisht 6 pikë, sepse kjo na mundëson që të kemi një pozitë më të mirë në renditje, e që do të kishte ndikim në shortin e kualifikimeve të ardhshme. Ndërkaq, objektivi tjetër është inkuadrimi i sa më shumë futbollistëve të rinj, të cilët do të jenë pjesë e ekipit në të ardhmen. Ma e mira e ndeshjes me Anglinë është se askush nuk beson se ne mund të nxjerrim rezultat pozitiv. Por, ne besojmë se me përgjegjësi e disiplinë në lojën defanzive mund t’i sjellim telashe edhe kombëtareve të nivelit të Anglisë. Normalisht, se nuk do të jetë e lehtë sepse niveli i kësaj kombëtare është krejt tjetër, por neve kjo ndeshje do të na shërbejë si shkollë dhe si vizion për të ardhmen. Pres maksimumin prej secilit lojtar dhe do të jetë interesant si për mua, po ashtu edhe për lojtarët të shohim sa do të arrijmë të ballafaqohemi me një kundërshtar të tillë”, ka theksuar Bunjaki.
Ai ka bërë thirrje që sa më shumë tifozë të vijnë në përkrahje të Dardanëve të rinj.
“Ndeshja me Anglinë është e veçantë. Është kënaqësi t’i shoh yjet e së ardhmes së Ligës Premiere në ‘Fadil Vokrri’, por njëkohësisht edhe lojtarët tanë kanë nevojë për përkrahjen e tifozëve, sepse motivimi është më i madh. Prandaj, apeloj tek të gjithë sportdashësit që të vijnë ta përkrahin Kombëtaren”, ka shtuar Bunjaki.
Edhe Qendrim Zyba ka folur për përshtypjet e tij nga fitorja me Andorrën, si dhe motivin për ballafaqimin me anglezët.
“Ka qenë një ndeshje jo e lehtë, sepse Andorra u mbrojt me shumë futbollistë, por ne dhamë maksimumin për t’i marrë tri pikë dhe ishte ndjenjë shumë e mirë kur fituam. Tani, patjetër se Anglia është një superkombëtare, por ne besojmë se harmonia që kemi në grup të na e sjellë një rezultat pozitiv. Nuk ia kemi frikën kësaj përballjeje, ngase ne duhet ta përfaqësojmë vendin tonë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pse jo edhe të bëjmë befasi. Ju bëj thirrje tifozëve ‘Dardanët’ që të jenë në numër sa më të madh prezent për të na mbështetur në këtë ndeshje të vështirë”, ka thënë Zyba.
Optimist për paraqitje të mirë është shprehur edhe Behar Neziri, e këtë ai e bazon në lojën e mirë kundër Andorrës.
“Fitorja atje na ka mundësuar që të jemi më të çliruar për ndeshjen kundër Anglisë. E dimë që tani kemi përball një rival shumë të fortë, por edhe ne kemi treguar se kemi potencial. Besoj se jemi rritur si grup. Amosfera është shumë e mirë dhe motivi tash është shumë më i madh dhe shpresoj se mund të marrim së paku një pikë. Ne e kemi dëshirë që të premten të vijnë sa më shumë tifozë në stadium sepse kjo do të na ndihmojë”, ka theksuar Neziri.
Në ndeshjen e parë kundër Anglisë në kuadër të kualifikimeve për Euro 2023, Dardanët e rinj kishin pësuar humbje 2:0. Ata aktualisht renditen në pozitën e tretë me 11 pikë, derisa Anglia kryeson me 22 pikë.
Ndeshja Kosovë U21 – Angli U21, zhvillohet të premten, në orën 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe hyrja për të gjithë tifozët është falas.