Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve të Kosovës, ka komentuar një situatë të pazakontë që ka ndodhur dje në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ku Ministri Latifi dhe deputetët kanë qeshur për shkuarjen në Klinikën e Psikiatrisë.
Ai, në Frontal të t7, tha se ministri dhe deputetët duhet të kërkojnë falje, pasi që çdo person publik duhet të jetë i përmbajtur nga komentet që nxisin stigmë.
“Aty kishte shumë për të qeshur por jo kjo situatë. E para, çdo person publik duhet të jetë i përmbajtur nga komentet që nxisin stigmë edhe ky ishtë njëri prej tyre dhe pse në kontestin që u tha ishte një lapsus nga ana e ministrit dhe pastaj plasën të qeshurat. Unë e ftoj ministrin që të kërkojë falje ndaj të gjithë atyre pacientëve që po besoj se një sjellje e paqëllimshme, edhe deputetët që e kanë vazhduar radhën e të qeshurave. Çdo stigmatizim është i keq, sidomos për personat që vetëdijen e tyre nuk e kanë në gjendje normale”, tha ai.
Kodra tha se ende nuk kanë pasur ankesa nga familjarët e pacientëve që janë të shtrirë në këtë klinikë, mirëpo u shpreh që reagimi nga publiku ka qenë i madh.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, dje ka thënë se gjendja në spitalin e psikiatrisë është e rëndë në infrastrukturë. Për këtë, ai ka ftuar edhe deputetët që të shkojnë në vend të ngjarjes dhe të shohin kushtet, meqë tha se kur ai e ka vizituar është tmerruar nga gjendja e keqe.
“Ju kisha lutur të gjithë deputetëve, shkoni në psikiatri!, tha Latifi, gjë që shkaktoi të qeshura në Komision, derisa deputetët i thanë Latifit nëse po u thotë të shkojnë atje në cilësinë e pacientëve.
“Si pacientë a?”, tha njëri nga anëtarët e Komisionit.
“Po ju them të shkoni si vrojtues, si doktorë, si përfaësues të popullit të Kosovës. Unë jam tmerruar. Nëse uji rrjedh nga tavani i ndërtesës dhe bien afër rrymës dhe pacientët dhe punëtorët shëndetësorë kalojnë aty afër dhe ne i mbyllim sytë para saj? Dje e kam dërguar një ekip të ushtrisë amerikane për të vlerësuar që të bëjmë rindërtimin e asaj ndërtese”, tha Latifi dje në Komision.
/GazetaExpress/