Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka komentuar zhvillimet e fundit në veri të vendit, duke theksuar se Serbia po përdorë dezinformimin si mjet për ta luftuar Kosovën.
Përmes një reagimi për media, KMDLNJ ka theksuar se brenda një kohe të shkurtër janë dhënë tri dezinformata nga ana e Serbisë, e cila sipas tyre përmes instrumentalizimit të serbëve në veri të vendit e ka tensionuar situatën.
“Serbia përmes instrumentalizimit të serbëve në veri të Kosovës e ka tensionuar situatën sikur që po kërcënon edhe serbët që jetojnë në Kosovën qendrore se do ta pësojnë nëse bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës duke i quajtur “ serbët e Kurtit “. Këto dezinformata nuk po përdoren rastësisht dhe në këtë kohë por se kanë një vijimësi të keqpërdorimit për qëllime politike”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së, shkruan RTKlive.
KMDLNJ ka theksuar se institucionet e Kosovës dhe qytetarët duhet tregojnë maturi sepse, përkundër përpjekjeve për destabilizim të situatës, nuk do të ketë përshkallëzim të dhunës dhe se kjo situatë do të tejkalohet në mënyrë paqësore.