Dy pacientë me Covid-19 po vazhdojnë të marrin trajtim tash e dy javë në Klinikën e Mjekimit Intenziv Qendror (MIQ), pasi të njëjtit nuk janë pranuar në Klinikën Infektive, raporton Ekonomia Online.
Mbrapa kamerës kanë thënë se Intenziva në Klinikën Infektive është e zbrazët dhe se nuk janë në dijeni për arsyen e dërgimit të këtyre pacientëve në MIQ.
Se janë pacientët në këtë Klinikë e ka konfirmuar drejtori i Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, Gazmend Spahia.
Ai për Ekonomia Online ka thënë se të njëjtit janë pranuar në gjendje të rëndë dhe janë të izoluar, ndonëse përballen çdo ditë me raste të traumës. Tha se nuk kanë qenë në dijeni nëse pacientët kanë qenë të testuar.
“Po ata dy pacientë janë pranuar te ne në mjekimin Intensiv të diagnostikuar paraprakisht. Janë pranuar si pacientë të rëndë edhe ne kemi rregull që pacientët të testohen, për kundër asaj që nuk kemi informatë paraprake që pacienti është testuar apo është pozitiv. Ne i testojmë edhe janë zbuluar cilët janë pacienta covid pozitiv. Në Klinikën Infektive trajtimi i tyre duhet të bëhet edhe është bërë. Po mbështetja e anestezionit ka qenë gjatë tërë kohës edhe në njësitë intensive të Klinikës Infektive, momentin kur ka tejkaluar numri i shtretërve apo numri i pacientëve për shtretër në mjekimin intensiv të infektives ku janë vetëm 6 shtretër atëherë është dashur me u angazhuar edhe njësitë tjera të intensives të cilën e kemi menaxhuar ne si anestezion. Por, edhe në Klinikën Infektive në njësinë intensive, të Klinikës Infektive kanë qenë anesteziologët”, tha ai, ndonëse nuk dha detaje përse këta dy pacientë vazhdojnë të marrin trajtim në Intenzivë e jo në Infektivë.
Ndonëse të dy pacientët kanë qenë të vaksinuar me dy doza, Spahia tha se gjendja e tyre është e rëndë, pasi janë në moshë të shtyrë dhe me sëmundje tjera përcjellëse.
“Gjendja e tyre është e rëndë se kanë sëmundje shoqëruese, janë pacientë me moshë të shtyrë. Sëmundjet shoqëruese të tyre e përkeqësojnë edhe më tutje gjendje. Për kundër asaj që të dy pacientët janë të vaksinuar edhe me dy vaksina. Ata janë të izoluar, infermierët kanë informatën e qartë se si duhet me i menaxhu pacientët, meqenëse këta infermierë kanë menaxhuar edhe pacientët kur kemi pas mjekimin intensiv Covid. Domethënë respektohen të gjitha rregullat të një pacienti të izoluar. Mundësia e përhapjes është mundem me thënë minimale”, tha ai.