Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili, përmes një konference për medie, ka reaguar në lidhje me deklaratën e djeshme të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila i kërkoi prokurorit të tërhiqej nga rasti ku kjo ishte e akuzuar në lidhje me hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend para shtatë vjetësh.
Kica-Xhelili tha se Haxhiu duhet të shkarkohet pasi e bëri këtë deklaratë.
“Ministrja e Drejtësisë i kërkoi prokurorit të dorëzohej… Nuk tha kërkoj drejtësi, në vend të shumë mundësive që kishte për të përmbyllur qëndrimin e saj prej të akuzuarës, por ajo zgjodhi t’i thotë prokurorit dorëzohu.. Këtë e tha ministrja e Drejtësisë, pasqyra e së cilës mëton të jetë fytyra e ligjit në Kosovë. Një ministre e drejtësisë që i kërkon drejtësisë dorëzim, duhet të dorëzohet vetë ose të shkarkohet, s’ka kredibilitet të udhëheqë në sektorin e drejtësisë”, është shprehur Kica në konferencën e thirrur për sot nga LDK-ja.
Sipas Kicës, Haxhiu disa herë ka dëshmuar që s’ka aftësi ta zhvesh petkun personal e të të akuzuarës kur hyn në këtë ministri, “harron që është institucion, fyen e kërcënon dhe jo vetëm ajo, por edhe të tjerët”.
Deputetja e LDK-së, tha se nga kjo ministri është premtuar, pavarësi e gjyqësorit e mbështetje financiare për sistemin e drejtësisë, është premtuar për ministra pa aktakuza, mirëpo, sipas saj, fatkeqësisht realiteti po dëshmon të kundërtën.
“Sot përveç që pagat e prokurorëve e gjyqtarëve janë ulur, punohet për dorëzim të drejtësisë. Nga sot e tutje dhe çdo ditë që vazhdon ta ketë këtë pozitë, ndërhyrja në sistemin e drejtësisë do ta mbajë emrin e kryeministrit, Kosova ka nevojë për njerëz që nuk dorëzohen”, ka shtuar ajo.
Kica u shpreh se s’duhet të lejohet kurrë që pushteti ta ketë lirinë e kërcënimit, sepse në emër të drejtësisë, sipas saj, shumë pushtete kanë abuzuar me të.