Kanë mbetur edhe nëntë ditë nga mbajtja e zgjedhjeve në katër komunat veriore të vendit. Shqetësimi është rritur nëse situata e sigurisë është stabile dhe nëse këto zgjedhje mund të mbahen që nga vendimi i Listës Srpska, partia kryesore e serbëve, të mos marrë pjesë.
Paralajmërimin e parë nga krerët e shtetit e dha dje kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se ka tendencë të qartë për destabilizim të asaj zone.
“Meqenëse edhe zgjedhjet po afrohen tash, pra pas dhjetë dite është data e zgjedhjeve, nuk janë të rastësishme të gjitha këto që po ndodhin, meqë është një tendencë e qartë që te destabilizohet ajo pjesë e vendit, përpara zgjedhjeve të 23 prillit”, ka deklaruar Konjufca dje.
Për këtë Gazeta Express ka pyetur KFOR’in nëse rekomandon ose jo mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat me shumicë serbe dhe në përgjigje KFOR thotë se edhe pse kjo barrë i takon Policisë së Kosovës do të jetë në nivel të lartë të gatishmërisë për t’u përballur me çdo skenar të mundshëm.
“Me rastin e zgjedhjeve të planifikuara më 23 prill në komunat e veriut, sigurinë do ta bëjë Policia e Kosovës. KFOR-i vazhdon të monitorojë situatën dhe të mbajë një nivel të lartë të gatishmërisë së njësive të tij për të përballur çdo skenar të mundshëm, duke pritur që institucionet në Kosovë ta trajtojnë situatën në mënyrë efektive”.
KFOR ka përsëritur se misioni i udhëhequr nga NATO mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Dje kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të marrin vendim që të shtyjnë zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës.
“Unë i bëj thirrje Qeverisë, presidentes, institucioneve të vendit që ta marrin me seriozitet gjendjen në veri dhe ta marrin një vendim për këtë situatë”, tha Haradinaj në seancën e djeshme në Kuvend.
Në zgjedhjet e 23 prillit për kryetar të komunave do të garojnë 11 kandidatë nga katër subjekte politike, prej të cilëve vetëm dy janë të komunitetit serb.