Estonia, Austria, Finlanda e Kroacia janë vendet e radhës që kanë mbështetur aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Estonisë, Urmas Reinsalu, përmes një reagimi në Twitter ka thënë se Estonia e mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Kosova ka dorëzuar aplikacionin për anëtarësim në BE. Estonia e mbështetet Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian” – thuhet në reagim.
Edhe ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane, Tytti Tuppurainen, ka pasur një reagim.
Ajo ka thënë se është e kënaqur të shohë Kosovën duke aplikuar për anëtarësim në BE, duke thënë se Kosova është pjesë e familjes evropiane.
“Finlanda vazhdon t’ju mbështesë në zbatimin e reformave dhe procedimin në integrim. Angazhimi juaj i fortë ndaj vlerave evropiane është veçanërisht i rëndësishëm në këto ditë” – ka thënë ajo.
Një vend tjetër që ka mbështetur Kosovës në këtë drejtim ka qenë edhe Republika e Austrisë.
Karoline Edtstadler, ministre federale për BE-në ka thënë se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE është një hap historik.
“Është thelbësore që Ballkani Perëndimor të afrohet më shumë me BE-në. Ritmi i integrimit të Kosovës në BE do të varet nga përkushtimi i saj për miratimin e reformave të nevojshme. Austria do ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj përpara” – është shprehur ajo.
Edhe Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq ka thënë se vendi i tij e mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian.
“Mirëpresim kërkesën e Kosovës për anëtarësim Bashkim Evropian dhe i urojmë shumë suksese në rrugëtimin e tyre evropian! Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje dhe të ndajmë përvojat kroate” – ka shkruar ai.
Sot zyrtarisht, ryeministri i Kosovës ia ka dorëzuar në Pragë letrën e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkim Evropian, ministrit për Çështje Evropiane të Çekisë, Mikulas Bek.
Aplikimi i Kosovës përbën herën e parë që një shtet merr një nismë të tillë pa u njohur zyrtarisht nga të gjitha vendet anëtare të BE-së.
Kryeministri Kurti tha që kjo është një ditë e jashtëzakonshme për demokracinë në Evropë, ndërsa historike për Kosovën.