Gazeta Express mëson se Qeveria Kurti po përgatitet të nënshkruajë marrëveshjen me korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), për investimet e rreth 200 milionë dollarëve. Marrëveshja e kërkuar nga Kosova, nga ky institucion qeveritar amerikan, nuk përmban më investime në gaz, por vetëm në një bateri kursyese prej mbi 100 MWh si dhe investime në trajnime. Burimet e Express konfirmojnë se Qeveria i ka thënë palës amerikane se Kuvendi i Kosovës do ta ratifikojë këtë marrëveshje të rinegociuar në mes të shtatorit, duke i premtuar amerikanëve edhe votën e opozitës.
Edhe pse vendimi fillestar i MCC, ashtu siç u publikua nga Shtëpia e Bardhë më 2019, ishte i fokusuar në ndërtim të infrastrukturës së gazit, për të ndihmuar Kosovën që të diversifikojë burimet energjetike, mediat kosovare vitin e kaluar raportuan intensivisht se Qeveria e Kosovës ka refuzuar këtë opsion dhe ka kërkuar që këto investime të fokusohen në një bateri të madhe. Një draft i strategjisë energjetike qeveritare i premtuar tash e dy vjet, po ashtu është fokusuar në investime në renovimin e TC Kosova A, si dhe investime në fusha solare.
Tani, gjatë muajit korrik, pritet që në Uashington në një ceremoni formale, të nënshkruhet kjo marrëveshje e rinegociuar, pa asnjë cent të dedikuar për gaz. Kjo do të mbyllë përfundimisht edhe shansin e fundit për largimin e Kosovës nga varshmëria prej qymyrit drejt një diversifikimi me gaz.
Në të njëjtën kohë, Kryeministri Kurti e ka mbajtur opozitën dhe opinion publik në Kosovë në mjegull rreth refuzimit të tij ndaj investimeve amerikane në gaz, duke mos u përgjigjur ne mënyrë të drejtpërdrejtë se a është apo jo në planet e qeverisë së tij, gazi natyror.
Kryeministri Kurti, kur u pyet në parlament këto ditë përsëri nuk ishte i qartë rreth refuzimit të gazit. “Sa për gazsjellësin, edhe nëse do të bëhet, ndërtimi nuk do të fillonte sivjet. Por pas një muaji do të nënshkruajmë në Uashington DC marrëveshjen me Korporatën e Sfidës së Mijëvjeçarit”, ka thënë kryeministri Kurti duke iu përgjigjur një pyetje parlamentare.
Në shtator të vitit 2021, kur mediat kosovare filluan të raportojnë për refuzimin e Kurtit ndaj gazit amerikan, Kryeministri i Republikës së Kosovës, kishte hedhur poshtë akuzat e partive opozitare se ka anuluar projektin për gazsjellësin.
“Nuk janë të vërteta akuzat, ne jemi në kontakt me MCC, gjithashtu jemi duke diskutuar se si është më së miri në këtë fazë të përdorim fondet të cilat do të na ndihmojnë për politikat tona energjetike. Pra nëse kemi thënë që na duhen më shumë informacion dhe studime, kjo nuk do të thotë se kemi refuzuar por do të thotë që jemi të përgjegjshëm, fondet amerikane janë të mirëseardhura e të dëshiruara por edhe do të shfrytëzohen nga Qeveria jonë”, ka deklaruar Kurti asokohe.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në një postim muajin e kaluar e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se pse nuk është duke marrë pjesë në një ngjarje ku sipas tij po diskutohej për largimin e gazit rus.
Në qytetin e Alexandropoli në veri të Greqisë në fillim të majit kishte nisur ndërtimi i terminalit të gazit të lëngshëm natyror. Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, kishte deklaruar se ky terminal i LNG-së, që është i përkrahur fuqimisht edhe nga Qeveria amerikane, pritet të jetë një “portë e re energjetike” që do ta ndihmojë Evropën dhe Ballkanin që të reduktojnë vrasinë nga gazi rus. Në këtë ngjarje të pranishëm kanë qenë presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov dhe Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski.
Gaz përçuesi i përkrahur fillimisht nga MCC, ishte menduar të kalojë nga Turqia, nëpër Greqi dhe Maqedoni, dhe të vijë në Kosovë.
Tani me gjasë Kosova edhe përfundimisht e ka përjashtuar mundësinë që të fitojë edhe një burim të energjisë. Burimet e Gazetës Express kanë konfirmuar se pala amerikane ka kërkuar që granti i MCC të jetë në gaz, por se e kanë lënë që vendimi përfundimtar të jetë e drejtë e Kosovës.