Këshilli Prokurorial i Kosovës, sot ka bërë të ditur se e kundërshton deklaratën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, lidhur me, siç ka thënë ajo, “mosvullnetin e as interesin për trajtimin serioz të krimeve të luftës nga sistemi prokurorial i Kosovës me në krye ish-kryeprokurorin Lumezi”.
Deklarata e ministres Haxhiu, siç ka potencuar Këshilli Prokurorial, nuk është e vërtetë, sepse Këshilli Prokurorial i Kosovës ka caktuar katër prokurorë në Departamentin për Krime të Luftës të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Për të mbështetur këtë departament, sipas KPK-së, po ashtu, janë caktuar edhe gjashtë bashkëpunëtorë profesionalë dhe dy zyrtarë ligjorë.
“E pavërteta e thënë nga Ministrja Haxhiu është e dëshmuar lehtë, me marrjen e mandatit të ish-Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, janë marrë veprime konkrete si: janë lëshuar 72 urdhërarreste ndërkombëtare për arrestimin e të dyshuarve për krime lufte, janë ndërmarrë veprime konkrete hetimore në drejtim të zbulimit të kryesve të veprave penale dhe kundër urdhërdhënësve, janë ngritur dhjetëra aktakuza, është përgatitur baza e të dhënave në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për rastet e krimeve të luftës dhe është harmonizuar kjo databazë me atë të Policisë së Kosovës. Me iniciativën e ish- Kryeprokurorit Lumezi është përgatitur dhe miratuar Strategjia për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës. Këto dhe shumë veprime të tjera janë ndërmarrë, janë duke u ndërmarrë në baza ditore për hetimet e krimeve të luftës në Kosovë.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shtuar se e vlerëson lartë angazhimin dhe gatishmërinë profesionale të ish-Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, në forcimin e Prokurorit të Shtetit si një institucioni i qëndrueshëm dhe i gatshëm për t’u ballafaquar me rastet me të rënda në Republikën e Kosovës, të cilat deri në vitin 2015 kanë qenë në kompetencë të EULEX-it. Prandaj, sipas KPK-së, çfarëdo tendencë për të mos njohur të arriturat institucionale nënkupton margjinalizim të të arriturave shtetërore.
Ndryshe, dje ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se kërkesa për lëshimin e urdhërarrestit ndërkombëtar për kriminelët e masakrës së Reçakut është lajm i mirë për drejtësinë dhe shtetin tonë, pasi që për herë të parë po shihen përpjekjet serioze për trajtimin e krimeve të luftës.
Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se ky është një lajm që qytetarët dhe familjarët e të vrarëve e prisnin prej vitesh.
“Qeverisjet e kaluara sikurse edhe sistemi prokurorial në krye me ish- kryeprokurorin Lumezi nuk kanë pasur as vullnetin e as interesin për trajtimin serioz të këtyre krimeve ndaj popullit tonë. A duhet të japin përgjegjësi për gjithë këtë mosveprim? A duhet të japin përgjegjësi KPK që ende edhe përkundër faktit që kemi shtuar buxhetin që më shumë se 16 muaj, nuk është plotësuar me prokurorë e bashkëpunëtorë, Departamenti për krime lufte në kuadër të PSRK? A ka përgjigje sistemi se pse nuk po zbatohen dispozitat për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës edhe përkundër që kemi hequr pengesat?”, ka shkruar ajo.
Ndaj Haxhiut, ka reaguar ish-kryeprokurori Aleksandër Lumezi, i cili në reagimin e tij e të cilin mediave ua ka dërguar Zyra për Komunikim Publik në Prokurorinë e Shtetit(ZKPSH), ka deklaruar se ndjekja e kryesve të veprave penale të krimeve të luftës nuk ndërmerret nga Kryeprokurori i Shtetit e as nga qeverisë por nga ata prokurorë të shtetit që kanë kompetenca ekskluzive ligjore për ndjekjen e këtyre veprave penale.