Këshilli i Prindërve ka bërë kërkesë te Qeveria e Kosovës që pagat për mësimdhënësit për muajin e grevës në shtator të ekzekutohen.
Në një postim në Facebook ata kanë thënë se pagat e mësimdhënësve duhen dhënë, ndërsa thonë se si këshill i prindërve kanë avokuar dhe deklaruar të drejtën kushtetuese dhe njerëzore të fëmijëve për përkujdesje, edukim dhe arsim publik të pamohueshëm.
Ata thonë se kanë kundërshtuar SBASHK-un por nuk janë dakord të krijohet një situatë edhe më e rëndë sesa greva dhe të gjithë ata mësimdhënës të mbesin pa paga.
“Grevat në arsimin e obligueshëm duhet të rregullohen me ligj dhe jo me forma të tjera “disiplinimi”.”, thuhet në reagim.
Ky është reagimi i plotë:
‼️PAGAT E MËSIMDHËNËSVE DUHEN DHËNË‼️
🟥 Si Këshill i Prindërve kemi avokuar, arsyetuar dhe deklaruar gjithnjë në të drejtën kushtetuese dhe njerëzore të fëmijëve tanë për përkujdesje, edukim dhe arsimim publik të pamohueshëm nga askush. Kundërshtimi ynë kryesor ndërlidhet me të drejtën monopolizuese të SBASHK për të “mbyllur” e “hapur” shkollat sipas vlerësimeve të pak individëve dhe në dëm të plotë ndaj fëmijëve e prindërve.
🟪 Por asnjëherë nuk jemi dakord që ne të krijojmë një situatë edhe më të rëndë (sesa vetë greva) dhe të gjithë ata mësimdhënës të ngelen pa paga për diçka që shteti i Kosovës e ka pranuar vazhdimisht të mirëqenë dhe asnjëherë nuk iu është ndaluar paga. Grevat në arsimin e obligueshëm duhet të rregullohen me ligj dhe jo me forma të tjera “disiplinimi”.
🟨 Andaj, si Këshill i Prindërve i Kosovës i bëjmë thirrje institucioneve të Qeverisë së Kosovës të bëjnë ekzekutimin e plotë të pagave të mësimdhënësve pa vonesë.
🟠 Nëse nuk mund ta bëni më mirë arsimin – së paku mos e bëni më keq!
🔴 Na lini të kthehemi në normalitet!. /