Këshilli i Prindërve të Kosovës ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse respektimin e pushimit pranveror për nxënësit e sistemit parauniversitar të Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Këshilli i Prindërve ka thënë se mohimi i pushimit të nxënësve në vikend dhe pushimeve të parapara me kalendarin shkollor, përbëjnë shkelje të konventave ndërkombëtare dhe Kushtetutës.
Sipas këtij këshilli, kërkesa për ndryshimin e kalendarit shkollor dhe lejimin e pushimit pranveror i është dërguar ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe po pritet një përgjigje prej saj.
“Si Këshill i Prindërve kemi pranuar shumë kërkesa e ankesa të prindërve për heqjen e të së drejtës së fëmijëve tanë për pushim pranveror. Këtë shqetësim e kemi shprehur qysh në shtatorin e vitit 2022, gjatë grevës, kur kemi kërkuar që mos t’iu hiqen e mos t’iu mohohen të drejtat fëmijëve tanë për pushim në fundjavë, në dimër e në pranverë.
Por Ministria e Arsimit e kishte publikuar kalendarin e korrigjuar mësimor për këtë vit shkollor menjëherë pas ndaljes së grevës, ku pa përfillur kërkesat e prindërve, dhe duke shkelur të drejtat e fëmijëve nxënës në sektorin publik, ua ka mohuar fëmijëve të drejtën për pushim. Kjo nuk mbajmë mend të ketë ndodhur pas luftës në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Këshillit të Prindërve.
E drejta për pushim dimëror e pranveror, nxënësve në sistemin e arsimit parauniversitar u është marrë nga Ministria e Arsimit, pasi në fillim të viti të shkollor, në shtator të vitit të kaluar, mësimdhënësit kishin mbajtur grevë 1 muaj me kërkesë rritjen e pagave.
Pas humbjes së qindra orëve mësimore gjatë kësaj periudhe, Ministria e Arsimit kishte përpiluar një kalendar të ri mësimor për vitin shkollor 2022/23, ku kishte organizuar orarin mësimor të shtunave dhe ditëve të pushimit dimëror dhe pranveror, me qëllim të kompensimit të orëve të humbura mësimore.
Këtë vendim të MASHTI-t po e kundërshton Këshilli i Prindërve i cili po e konsideron se është shkelje e të drejtave të nxënësve mohimi i pushimit.
Për nxënësit, mësimdhënësit e të cilëve nuk kanë mbajtur grevë, pushimi pranveror fillon të hënën, më 4 prill, dhe zgjatë një javë.