Katër organizata studentore po kërkojnë zgjedhje të përgjithshme të Universitetit të Prishtinës. Unioni Demokratik Studentor, Unioni i Studentëve Proeuropian, Opinioni i Pavarur Studentor dhe Paqja Studentore po e konsiderojnë skandaloze përbërjen e Këshillit drejtues. Sipas tyre, imazhi i UP-së është kthyer në plagjiat e profesorë vjedhës, për çka kanë fajësuar senatin dhe ish-rektorin, Naser Sahiti.
Në emër të organizatave, Arbër Gecaj para objektit të rektoratit ka thënë se UP po degradohet dhe për këtë zgjidhje janë zgjedhjet e përgjithshme.
“Sot, në njërën anë e kemi përbërje skandaloze të Senatit që zgjedh anëtar skandaloz e politik të Këshillit Drejtues, kurse e në anën tjetër emërimin e kushërirës së Presidentes si u.d. e rektorit (e cila nuk as edhe një citim të vetëm në google scholar) dhe zgjidhja e vetme është ajo e vitit 2015- zgjedhjet e përgjithshme të Universitetit. Universiteti ka nevojë për formatim te përgjithshëm sepse virusi i saj janë plagjiatorët, jomeritorët, analfabetët e studentët e kontrolluar nga politika. Tashmë është momenti i fundit që universitetit t’i rikthehet funksionimi normal e ta ndalim shkatërrimin total të tij”, ka përfunduar ai.
Ai tha se propozimin e tyre do ta dërgojnë sot në Këshillin Drejtues për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme të UP-së. Sa i përket shkarkimit të Naser Sahitit, Gecaj tha se arsyetimi ka qenë skandaloz.
“Ndërhyrjet e klaneve dhe politikës në organet e ndryshme të UP-së në format më të ulëta të mundshme janë të pa-tolerueshme. Në qershor të këtij viti u mbajtën zgjedhjet për anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues të UP-së. Ne si organizata studentore përfaqësoheshim me shtatë studentë senatorë në Senatin e UP-së, pra kishim shtatë anëtarë me të drejtë vote. Në ditën e votimit për shkak të kalkulimeve të klaneve të ndryshme të sponsorizuara nga Ministria e Arsimit, neve nuk na u lejua të marrim pjesë në procesin e votimit”, ka thënë ai.
Gecaj shton se atyre iu pamundësua e drejta e votimit, për çka kanë bërë edhe ankesë në Komisionin Statutor. Por, meqë siç tha ai, as këtu nuk janë përfillur, kjo çështje po trajtohet nga gjyqësori.
Sipas tij, ata u larguan me njësi speciale për tu mundësuar votimi i personave pa vlerë akademike në krye të organit më të lartë të UP-së.
“Dhunshëm i futën shtatë studentë senatorë të organizatës Studim Kritikë Veprim, e cila njihet se është e kontrolluar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe organizatës së tyre partnere Reforma në Proces. E gjitha kjo me misionin e vetëm që në krye të Universitetit të Prishtinës të zgjidhen plagjiatorë e militantë partiakë dhe njerëz jomeritorë. Pikërisht ata që u zgjodhën me votën e senatorëve, 20 ditë pasi e marrin detyrën shkarkojnë rektorin dhe në vend të tyre zgjedhin u.d. rektor një person të afërm, konkretisht me presidenten Osmani. Kështu për të përmbushur në plotni misionin për kapjen e plotë të UP-së”, ka shtuar ai.
Për gjendjen në Universitetin e Prishtinës, këto organizata studentore po fajësojnë edhe ish-rektorin, Naser Sahiti.
“Universiteti i Prishtinës po degradohet më shumë se kurrë më parë. Sot, kur flitet për UP-në si imazh i parë janë plagjiatorët, pra profesorët vjedhës e profesorët që kanë probleme bazike në formulim të fjalisë. Fajtorët kryesorë janë Senati i UP-së që me votën e tyre zgjodhën këtë përbërje katastrofike e skandaloze të UP-së dhe fajtori tjetër është pikërisht ish-rektori Sahiti, i cili përmes cungimit të mandatit tonë i solli pikërisht jomeritorët në krye të UP-së”, ka theksuar ai në konferencë për media.
Ish-rektori i UP-së është shkarkuar të premten me tetë vota për dhe asnjë abstenim. Ushtruese e detyrës është emëruar Luljeta Plakolli-Kasumi.