Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) e ka konfirmuar se ka pranuar kërkesën e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për Ligjin për Pagat, ku kërkohet që ky i fundit të përcjellët për në Gjykatë Kushtetuese për shkak të shkeljeve të konstatuara nga instituti.
Nga IKD kanë bërë të ditur për Demokracia.com përmes e-mailit se do ta shqyrtojnë kërkesën përbrenda afateve ligjore.
“Institucioni i Avokatit te Popullit ka pranuar kerkesen e OJQ-se “Instituti Kosovar per Drejtesi” ne lidhje me Ligjin Nr.08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik. Avokati i Popullit, sipas mandatit kushtetues dhe ligjor, do te shqyrtoje kerkesen brenda afateve ligjore”, thuhet në përgjigjen e IAP-së.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka deponuar të premten tek Avokati i Popullit kërkesë për inicimin në Gjykatën Kushtetuese për Ligjin për Paga.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga IKD-ja me anë të një komunikate për media, duke thënë se kanë vërejtur shkelje të të drejtave të njeriut, shkruan Demokracia.com.
“Me qëllim të mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, reagimi i Avokatit të Popullit në këtë situatë është i domosdoshëm. Përmes kësaj letre, IKD kërkon nga Avokati i Popullit që ta trajtojë këtë çështje dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe ligjore të iniciojë Ligjin NR. 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese” thuhet në kërkesën e IKD-së.
Shqetësim IKD-ja e ka parë edhe mos-përcaktimin e vlerës monetare të koeficientëve tek nëpunësit e sektorit publik.
“IKD ka gjetur se Ligji cenon sigurinë juridike të nëpunësve të sektorit publik, duke mos përcaktuar vlerën monetare të koeficientëve. Sa i përket uljes së pagave, Ligji ka përcaktuar rregulla adekuate për mbrojtjen e nëpunësve nga ulja e pagave. Por, IKD ka gjetur se Ligji i mbron këto rregulla vetëm për të ardhmen, por se nuk i aplikon për të kaluarën. Kjo pasi Ligji në fjalë nuk ka një zgjidhje adekuate në raport me nëpunësit e sektorit publik të cilët ndikohen negativisht nga ky Ligj”, u tha ndër të tjera në komunikatë.
IKD, ndër të tjera, ka thënë se ndonëse nuk është përcaktuar vlera monetare e koeficientit, nga fryma e përgjithshme e këtij ligji vërehet një tendencë për ulje të pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. /Demokracia.com/