Një shfaqje që gërmon në të kaluarën, shoshit të tashmen dhe shikon nga e ardhmja.
Në Pejë, në ditën e mbylljes së “Peja Jazz Festival” performon kantautori multi-instrumentist (dhe shkrimtari) Vinicio Capossela, të martën, më 8 nëntor, në orën 20:00 në Kinemanë “Jusuf Gërvalla”.
Koncerti realizohet me mbështetjen e Ambasadës së Italisë në Prishtinë dhe Institutit Italian të Kulturës në Tiranë si pjesë e planit të promovimit të integruar “Vivere all’Italiana”.
Para se të ngjitet në skenën kosovare, Capossela, gjithmonë me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, do të përformojë në Beograd (2 nëntor), Shkodër (4 nëntor), Tiranë (6 nëntor), dhe në Shkup (9 nëntor), si pjesë e turneut që pagëzoi “Ballkangiro”.
Në netët e “Peja Jazz” përveç artistit italian do të këndojnë dyshja zvicerane-shqiptara-britanike e përbërë nga Elina Duni dhe Rob Luft (5 nëntor), kubanezja Ana Carla Maza (6 nëntor), Kuarteti i drejtuar i Rona Nishliut (7 nëntor). /kosovapress