Instituti Demokratik i Kosovës, vlerëson se vlera prej 105 euro për koeficientin nuk përkon me pritshmëritë dhe kërkesat e punëtoreve të sektorit publik. KDI thotë se e metë kryesore e këtij ligji mbetet çështja e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë.
KDI vlerëson se “ky koeficient e zhvlerëson pozitën e gjyqtarit dhe prokurorit duke ua ulur pagat për rreth 25%. Kështu një Gjyqtar i Gjykatës Themelore do të paguhet 1200 euro nderkohë që paga e tij/saj bazë ishte 1600 euro në muaj” thuhet në reagim.
“Ulja e pagave aktuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që nga Qeveria po arsyetohet si arritje e “barazisë” së pagave në sektorin publik është kundër kushtetuese dhe në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet tutje në reagim.
Reagimi i plotë i tyre:
Gjatë ditës së sotme Qeveria e Kosovës ka prezantuar vlerën e koeficientit të pagës për sektorin publik. Ky koeficient do të ketë vlerën 105 euro.
KDI, vlerëson se kjo vlerë e koeficientit prej 105 euro nuk përkon me pritshmëritë dhe kërkesat e punëtoreve të sektorit publik. Për më tepër e metë kryesore e këtij ligji mbetet çështja e ndërhyrjes në sistemin e drejtësisë. Kjo vlerë e koeficientit e zhvlerëson pozitën e gjyqtarit dhe prokurorit duke ua ulur pagat për rreth 25%. Kështu një Gjyqtar i Gjykatës Themelore do të paguhet 1200 euro nderkohë që paga e tij/saj bazë ishte 1600 euro në muaj.
Ulja e pagave aktuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që nga Qeveria po arsyetohet si arritje e “barazisë” së pagave në sektorin publik është kundër kushtetuese dhe në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, rasti nr. KO 219/19. Ulja e pagave është me kundërshtim edhe me Ligjin për Gjykatat, i cili qartazi përcaktohen se pagat e gjyqtarëve nuk mund të zvogëlohen gjatë mandatit për të cilin ata janë emëruar, përveç në rastet kur vendosen sanksione disiplinore nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Andaj, shfuqizimi i këtyre dispozitave duhet patjetër t’i paraprijë një arsyetim nga Ekzekutivi, i cili duhet të jetë nën frymën e “parashikushmerisë” dhe “sigurisë juridike” që duhet të ofrojë ky ligj. Çështja e uljes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është kritikuar edhe nga ana e ekspertëve të Komisionit Evropian dhe Zyrës së BE në Kosovë. Ata kanë konsideruar që ulja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve me ligjin e ri, sidomos në një shumë kaq të konsiderueshme është shumë shqetësuese dhe rrezikon të cenojë parimin e pavarësisë së gjyqësorit. Edhe praktikat gjyqësore të shteteve të tjera evropiane si dhe Komisioni i Venecias kanë theksuar faktin se paga e gjyqtarit individual mund të ulet vetëm si pasojë e një krize të evidentuar ekonomike që do të përbënte rrethanë të jashtëzakonshme për shtetin, e në kontekstin aktual nuk kemi ndonjë krizë ose gjendje të jashtëzakonshme ekonomike të shpallur nga Qeveria. Përkundrazi, Kosova këtë vit ka miratuar buxhetin më të madh ndonjëherë, në vlerën prej rreth 3,2 miliardë euro.
Andaj, një ulje e tillë e pagave për sistemin e drejtësisë cenon parimin e ndarjes të pushteteve dhe është ndërhyrje direkte në pavarësinë e pushtetit gjyqësor.