Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), mbajti sot konferencë për media gjatë së cilës shpalosi raportin analitik mbi performancën e Legjislaturës së Tetë të Kuvendit të Kosovës.
Violeta Haxholli, hulumtuese e lartë në KDI, tha se katër vitet e kësaj Legjislature janë shoqëruar me një seri mundësish të humbura dhe një mungesë të përgjegjshmërisë nga ana e deputetëve. Pavarësisht miratimit të 282 ligjeve, legjislatura ka hasur në shumë sfida që kanë penguar efikasitetin e saj.
Ajo theksoi se zhvillimet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe ato në pjesën veriore, kanë ndikuar në masë të madhe dinamikat brenda Kuvendit. Dorëheqja e deputetëve të Listës Serbe në nëntor 2022, pas muajsh bojkotimesh, e la komunitetin serb në Kosovë pa përfaqësim në Kuvend dhe pamundësoi miratimin e ligjeve që kërkonin shumicën e dyfishtë.
“Për të njëjtën arsye nuk arritën të miratohen as tri propozim-amendamentet kushtetuese për zhvillimin e procesit të vetingut në drejtësi. Lidhur me këtë, partia në pushtet nuk prezantoi ndonjë alternativë tjetër, duke e lënë këtë çështje pa ndonjë epilog.
Një nga arritjet e kësaj Legjislature ishte miratimi i Rregullorës së re të Punës, dokument ky i cili nuk ishte ndryshuar nga asnjë legjislaturë paraprake për më shumë se 10 vite. Në anën tjetër, Kuvendi dështoi të miratonte Kodin e Sjelljes së deputetëve, një obligim ky që buron nga Rregullorja dhe synon avancimin e rregullave të sjelljes në Kuvend. Ngjashëm, Kuvendi dështoi të miratonte Projekt Kodin Civil, veprim ky i cili është në kundërshtim me parimet e mbrojtjes së të drejtave civile dhe i pamundësoi vendit kodifikimin e procedurës civile”, thuhet në njoftim.