Ardian Kastrati, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, gjatë seancës së sotme parlamentare, ka kritikuar shumicën parlamentare, duke thënë se këta të fundit injorancën e kanë monument, dhe se diçka e tillë është vështirë me u pa edhe në komunizëm.
Kastrati ka shtuar edhe se, me mosekzekutimin e pagave, qeveria po pështynë në kategorinë më të vlefshme që ka kjo shoqëri, e ajo është mësimdhënësit, shkruan lajmi.net.
“Po fascinohem më mënyrën se si po diskutoni ju të pushteti për me mbrojt një vendim që ia ndalon pagat mësimdhënësve. Po ku po i gjeni gjithë ato interpretime ligjore, me i jep 40 milionë me pagu rrymën atje në veri. E këtu për këta të shkretit mësuesit 500 mijë nene po referoheni. Për besë, kjo është e dhimbshme goxha e turpshme, edhe më vjen keq po ju injorancën e kishit monument. Monument, sepse kështu as në komunizëm, vështirë që keni me i pa”, ka thënë ai.
“Ndërsa ju që po e implementoni këtë lloj vendimi për më i ndalu pagat, po dilni pionier edhe më të rrezikshëm se të Sinan Hasanit e Fadil Hoxhës. Po pështyni në kategorinë më të vlefshme që ka kjo shoqëri, e që janë mësimdhënësit. A befasohem pse pështyni në ta, jo. Sepse të njëjtin ky djaloshi e ka bë me veteranë të luftës duke i krahasuar me mercenarë. Fascinohem me mënyrën si rreni”, ka thënë ndër tjerash Kastrati.