Qeveria e Kosovës, më 2 mars të këtij viti ka themeluar Fondin e Sigurisë, në të cilin qytetarët dhe donatorë të ndryshëm mund të kontribuojnë.
Ky fond është themeluar, siç ka thënë kryeministri Albin Kurti, bazuar në nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, situatës aktuale dhe pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë, shkruan Demokracia.com.
Ky fond do të menaxhohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe mjetet e grumbulluara do të përdoren për mbështetje të prioriteteve të Qeverisë, duke përfshirë fushën e mbrojtjes, infrastrukturën e sigurisë, menaxhimin e katastrofave natyrore apo ngjashëm bazuar në vlerësimin e ekzekutivit.
Të gjitha këto mjetet e grumbulluar do të alokohen në Ministrinë e Mbrojtjes për shfrytëzim si buxhet shtesë dhe do të përdoren në përputhje me legjislacionin përkatës për financat publike.
Qytetarët e Kosovës tash për tash nuk po e dinë se sa para janë grumbulluar në Fondin e Sigurisë për shkak se Qeveria e Kosovës ka vendosur ta mbajë konfidecial këtë informacion.
Se këto mjete të grumbulluara duhet të jenë të njohura për publikun e thotë edhe ish-komandanti i FSK-së, gjeneral Kadri Kastrati.
Ai për Demokracia.com, ka deklaruar se ky fond nuk duhet të jetë sekret përderisa Serbia po blen armë nga Rusia e Kina, e nga shumë vende dhe po mburret më atë.
“Ky fond nuk duhet të jetë sekret, përkundrazi Serbia po blen armë nga Rusia e Kina, e nga shumë vende dhe po mburret me atë. Edhe ne i kemi ligjet që janë aprovuar në vitin 2018, që me këto tre ligje për Ministrinë, për ushtrinë dhe shërbim i jep të drejtë ushtrisë së Kosovës që të ngrit kapacitetet e veta ushtarake”, ka deklaruar Kastrati.
Kastrati ka thënë se do të duhej të krijohet një komision parlamentar nga të gjitha partitë politike që ta mbikëqyrin këtë fond se ku po harxhohen këto para dhe si po harxhohen ato.
“Pse ta fshehim ne ushtrinë e armatosur që sipas ligjeve që janë në fuqi dhe sipas planit që është miratuar në kohën 2012 dhe 2014, derisa kam qenë unë komandant, se çka duhet të ketë kjo ushtri. Për këtë fond do të duhej të krijohet një komision parlamentar nga të gjitha partitë politike që ta mbikëqyrin”, ka thënë Kastrati.
Ai gjithashtu ka rekomanduar që institucione e shtetit të Kosovës të punojnë në mënyrë transparente dhe sa më shpejtë që të jetë e mundur ta ngritin ushtrinë e Kosovës sipas ligjeve në fuqi dhe ta modernizojnë me pajisje sa më të sofistikuara.