Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë të enjten pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksnadër Vuçiq se “prioriteti i koalicionit të shqiptarëve nuk është hyrja në Qeveri, por integrimi i shqiptarëve”.
Kamberi e Vuçiqi u takuan për konsultime në kuadër të zgjedhjes së kryeministrit të ri të Serbisë. Siç raporton “Danas” takimi ka zgjatur gati një orë.
Por Kamberi pas takimit iu tha gazetarëve se Vuçiqi nuk iu ka ofruar asgjë konkrete, veç i ka dëgjuar kërkesat e tyre – duke iu referuar shtatë kërkesave shqiptare që datojnë nga viti 2013.
“Ne i kërkuam presidentit që personalisht të avokojë për përmbushjen e atij plani. Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Me ardhjen kemi dashur të tregojmë konstruktivitet në zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohen shqiptarët”, ka thënë Kamberi.
Kamberi po ashtu ka thënë se është hera e pestë që konsultohet me presidentin e Sebisë për formimin e qeverisë së re.
“Ne shkojmë për herë të pestë, dhe kërkesat tona janë të vjetra.
Tema kryesore e planit shtatëpikësh është zhvillimi ekonomik, integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore, çështja e diplomave të panjohura, çështja e pasivimit të adresave, përdorimi i termave fyese për shqiptarët – termi Shiptar.
Të gjitha këto çështje nënkuptojnë jetë për shqiptarët”, ka thënë Kamberi.