Deputeti shqiptar në Paralamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka folur rreth takimit të delegacionit nga Lugina e Preshevës me senatorët amerikan më Washington.
Kamberi ka bërë të ditur se senatorët amerikanë i kanë njoftuar për problematikat me të cilat përballen shqiptarët në Luginë.
“Theksuam problematikat me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Luginë, si mungesën e pjesëmarrjes adekuate në institucione shtetërore, pasivizimin e adresave, mosnjohja e diplomave, moszhvillimi ekonomik i rajonit, e temat që kanë të bëjnë me të drejtat tona kolektive”, ka thënë Kamberi.
Ai shtoi se kanë kërkuar nga zyrat e senatorëve që çështja e shqiptarëve të Luginës të jetë në agjendën e politikës së jashtme të SHBA-së, si dhe të jetë pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që të trajtohen të gjitha çështjet problematike që do të rëndojnë të ardhmen raportet mes dy shteteve.
“Po shpresojmë që këto takime që kishim sot dhe do të kemi në ditët në vazhdimësi do të japin një perspektivë tjetër Luginës së Preshevës në kuadër të së cilës do të mundësohet realizimi i plotë i të drejtave tona konfrom standardeve që i ka bashkësia ndërkombëtare”, tha Kamberi.