Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati po e sheh të turpshëm shtyrjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale në vend. Sipas tij, kryeministri Albin Kurti veproi kokë më vete për vendimin dhe nuk i konsultoi as miqtë ndërkombëtarë dhe as ekspertët e sigurisë.
Qeveria e Kosovës më 29 qershor kishte marrë vendim për masën e reciprocitetit për targat ilegale në vend dhe për letërnjoftimet, vendim ky që do të hynte në fuqi më 1 gusht.
Por një orë para 1 gushtit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se ky vendim do të shtyhet për një muaj dhe ky vendim u mor vetëm pas takimit që kishte me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.
Ish-komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati po e quan si veprim të turpshëm vendimin për shtyrjen e masës së reciprocitetit.
Ai për Demokracia.com ka thënë se në bazë të kësaj, kryeministri Albin Kurti ka lënë të nënkuptoj se nuk është konsultuar as me miqtë ndërkombëtar e as me ndonjë ekspert të sigurisë.
“Fillimisht Qeveria është dashur që të marrë vendim duke u konsultuar me miqtë tanë ndërkombëtar dhe me prezencën ushtarake këtu në Kosovë, me u konsultua me ekspertë të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes se si do të duhej të veprohet. E treta, është dashur që të llogaris që me 1 gusht, shumica e mërgimtarëve kthehen në Kosovë, vijnë në pushime nëpërmes Serbisë dhe rrezikohet jeta, pasuria, automjetet dhe të gjitha këto me i pas llogaritur atëherë vendimi do të duhej të shtyhej për një muaj apo me 1 shtator sepse unë jam për reciprocitet por në kohën e caktuar dhe duke analizuar se çka dhe çfarë pasoja mund të kenë qytetarët apo çfarë pasoja mund të kemi. Shtyrja apo hudhja e vendimit vetë poshtë, unë e di që ne duhet t’i dëgjojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në njëfarë mënyre unë e konsideroj se është një turp për Qeverinë dhe shtetin e Kosovës kur ti merr vendim tash dhe pas disa orësh e anulon vendimin tënd dhe kjo nuk është e hijshme. Për mos me ndodh këto në të ardhmen unë kisha rekomandu që fuqishëm që Qeveria duhet çdo herë të konsultohet me njerëz, me këshilltar, me miqtë tanë për veprimet që duhet të merren”, ka theksuar Kastrati për Demokracia.com.
Sipas tij, sikur Kurti të konsultohej me miqtë ndërkombëtar apo me ndonjë ekspert të sigurisë, nuk do të merrte vendime të gabuara.
“Vendimi i fundit e tregoi që Qeveria Kurti nuk e ka konsultuar askënd sepse po të ishte konsultuar me dikë pa marrë parasysh edhe me miqtë tanë edhe me ekspertët e sigurisë, unë mendoj që nuk do e kishin lejuar kryeministrin që të gaboj dhe do e kishin rekomanduar se çka duhet të bëjë. Për atë arsye unë po them edhe një herë që rekomandoj fuqishëm që në të ardhmen të konsultohet me njerëz që kanë përvojë, që janë të fushës së caktuar dhe absolutisht mendoj se nuk do ta lejojnë që të gaboj në të ardhmen që të merr vendime të gabuara”, u shpreh Kastrati.
Tutje Kastrati për Demokracia.com, ka thënë se Qeveria e Kosovës do të duhej të ishte e përgatitur për çdo skenar të mundshëm, pasi siç u shpreh ai, veriu i vendit nuk është nën kontrollën e autoriteteve kosovare, pavarësisht faktit që pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë të përgatitur për çdo situatë të mundshme.
“Policia e Kosovës gjithmonë janë të përgatitur për skenarë të ndryshëm por ne duhet ta kuptojmë një gjë që nuk e kemi nën kontroll veriun dhe serbët janë atje me struktura paralele dhe janë shumë të organizuat. Unë e di shumë mirë sepse kam qenë 2002-2004 komandat në Mitrovicë dhe e di saktë që ata janë sikur një organizatë ushtarake janë ashtu të organizuar dhe ata veprojnë në mënyrë urgjente. E treta, krejt organizimit të serbëve i ka parapri edhe ky skenar i ka paraprirë edhe kur Millan Radojiçiq lajmërohet nga malet e veriut të Kosovës edhe jep njëfarë mesazhi edhe e treta kur përfaqësuesi Stefanoviq i thirrë në Rashkë udhëheqësit radikal serb, të them radikal, të partisë serbe që të konsultohen, ajo është ditur që diçka do të ndërmerret. E tash a kanë vepruar këta me kohë, unë mendoj që jo, sepse nëse ti e merr një vendim, krahas atij vendimi do të duhej që të merren edhe masat e sigurisë për mos me e lanë me eskalu situata, paralel them”, deklaroi Kastrati për Demokracia.com.
Sipas tij, Serbia kërcënimet në drejtim të Kosovës i bën vetëm për poen politik dhe vetëm që të përfitojë kohë për moszbatimin e marrëveshjeve që janë arritur në kuadër të dialogut.
“Serbia ka kërcënuar gjithmonë, Serbia kërcënon, por Serbia nuk guxon t’ia mësyjë Kosovës kurrë, sepse numër 1 e kemi NATO-n këtu, e NATO-ja është përgjegjëse për kufij. Numër 2, e kemi Policinë edhe Ushtrinë, por numër 3 edhe ne populli jemi të përgatitur edhe jemi të gatshëm për me dhanë edhe jetën sepse këtë liri e këtë shtet e kemi krijuar dhe e kemi fituar edhe me gjak, edhe me djersë e me mund edhe për atë arsye Serbia kot ia mësynë këtij vendi këtu. Dhe ata çdo herë janë kërcënuar dhe janë munduar që përmes kërcënimeve t’i arrijnë qëllimet e veta politike dhe kërcënimi është vetëm për me arrit ata një qëllim politik për me i shty bisedimet, për mos me i zbatua marrëveshjet që i ka nënshkrua etj., etj,.”, u shpreh Kastrati.
I pyetur nga Demokracia.com nëse për shkak të kërcënimeve që i bënë Serbia a duhet që të ketë mobilizim të FSK—së dhe Policisë, Kastrati tha se këto kërcënime janë të kota.
“Jo, jo. Unë mendoj që kërcënimet që vijnë nga Beogradi duhet vetëm të na kalojnë ashtu sikur era që kalon, të mos merremi me ta, t’i grahim punës tonë, të punojmë për vendin tonë, sepse ato kërcënime nuk mundet. Edhe NATO-ja dhe sekretari Stoltenberg e dha sot (e marte), e dha deklaratën e vet që NATO-ja është e përgatitur për me e kryer misionin e vetë edhe për atë arsye absolutisht nuk ka ndonjë rrezik për shtetin e Kosovës”, u përgjigj Kastrati.
Po ai thotë se çdo aksion i Policisë në veri të vendit, pjesëtarët e saj janë të rrezikuar, por sipas Kastrati shteti duhet të investojë shumë në polici dhe ushtri.
“Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë të rrezikuar çdo herë kur dalin në veri e posaçërisht para dy dite kur e pamë saktë që kanë shtënë me armë në drejtimin e Policisë. Unë kam dhënë shumë herë deklarata dhe rekomandime për Qeverinë, duhet urgjentisht edhe në prioritet numër një të investojë në Polici dhe Ushtri, të investojë në pajisjet dhe armatimet e nevojshme që i takojnë sipas ligjeve. Sepse me forcimin e Ushtrisë, me forcimin e Policisë, me sigurimin shëndetësor tyre, me sigurimin e gjithë atyre që kanë nevojë policia dhe ushtria, atëherë ne do të jemi shumë më të sigurtë dhe do të kemi shumë më pak kërcënime edhe nga Serbia. Sepse Serbia e njeh vetëm forcën dhe asgjë tjetër”, theksoi Kastrati për Demokracia.com.
Pavarësisht se ai personalisht, por edhe ekspertë të tjerë të sigurisë kanë dhënë rekomandime të shumta për Qeverinë e Kosovës në lidhje me situatën e sigurisë dhe mbrojtjes, ai thotë se këto rekomandime duhet t’i marrë parasysh ekzekutivi e jo të veprojë kokë më vete.
“Ata kanë mundur të mos i marrin, ne si ekspertë të sigurisë i japim rekomandime. Ne nuk mund t’i themi askujt që t’i marrë ato mirëpo ai mendoj që do të duhej që t’i marrë parasysh rekomandimet e njerëzve që një jetë të tërë ia kanë kushtuar mbrojtjes dhe sigurisë dhe unë mendoj që do të jetë në të mirë të tij dhe shtetit të Kosovës”, u shpreh Kastrati për Demokracia.com.
Theksojmë se Qeveria e Kosovës e ka shtyrë vendimin për implementimin e reciprocitetit për targat ilegale në Kosovë deri më 1 shtator, vendim ky i cili erdhi vetëm pas takimit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ky takim u mbajt në orët e mbrëmjes dhe vendimi u bë e ditur rreth orës 23:00, pra një orë para se të hynte në fuqi vendimi i 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës. Aktualisht në të gjitha pikat kufitare është duke u zbatuar masa e reciprocitetit për letërnjoftimet për çdo shtetas të Serbisë që hyn në Kosovë. Për secilin shtetas, autoritetet kosovare, përkatësisht policia kufitare ua lëshon një vërtetim përmes së cilit u lejohet qëndrimi në Kosovë deri në 90 ditë.