Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, një përleshje fizike që ndodhi në lokalin “Kobra City” në Prizrën, solli vdekjen e një personi dhe plagosjen e një tjetri.
Dibran Hoxhaj i njohur me nofkën “Kobra” dyshohet se vrau me armë kukësian Visart Cengu, ndërsa la të plagosur Rufgen Shehun. “Kobra” së bashku me pesë persona të tjerë përfunduan në paraburgim prej 30 ditësh.
Rasti tjetër që tronditi opinionin, është ai i vdekjes së dyshimtë të një gruaje në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë. Të mërkurën, ajo e u gjetë e vdekur në hollin e banesës. Viktima nuk kishte shenja dhune, mirëpo ende nuk janë bërë të qarta rrethanat e vdekjes së saj.
Në të njëjtën ditë, disa persona therën me thikë një 16 vjeçar në Prishtinë. Për fat të mirë i riu iu shpëtoi plagëve të marra. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në rrugën “Afrim Loxha” në Prishtinë, ku pas një konflikti që kishte me dy persona të cilët viktima nuk ka arritur që t’i identifikojë, ata dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht të miturin me thikë dhe gurë.
Në orët e mbrëmjes, një tjetër therje me thikë ndaj një të riu ndodhi në komunën e Istogut. 25 vjeçari, Gent Madanaj u therë me thikë shtatë herë. I njëjti është dërguar në spitalin rajonal dhe është jashtë rrezikut për jetë.
Një burrë 35-vjeçar ka vdekur si pasojë e një aksidenti fatal në Çagllavicë, të enjten në ora 04:40 të mëngjesit.
Automjeti i përfshirë në aksident ka pasur targa të huaja.
“Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që me hetimin e rastit po merret njësiti i trafikut”, ka njoftuar policia./Insajderi