Thelbi i tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë nuk është te targat, tha ish-ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delavie, por në refuzimin e Serbisë për të pranuar pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës qe 25 vite, tha ai në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, raporton gazeta online Reporteri.net.
Diplomati i pensionuar amerikan që shërbeu në Kosovë prej vitit 2015 gjer më 2018 u shpreh se serbët duhet të kthehen në institucionet e Kosovës, prej të cilave janë larguar, ngase kjo është në vetë interesin më të mirë të tyre.
“Zyrtarët e minoritetit serb janë të kontrolluar nga Qeveria e Serbisë, siç është edhe pjesëmarrja e tyre në institucionet e Kosovës, në mënyrë që të kundërshtohet qeveria e Kosovës”.
Iniciativën e komunitetit ndërkombëtar për të shtyrë çështjen e zbatimit të vendimit për riregjistrimin e targave, Delavie e sheh të arritshme, siç thotë ai, nëse do të paraprihej nga një marrëveshje e zbatueshme nga dyja palët, përcjell Reporteri.net.
Në lidhje me iniciativën franko-gjermane, anipse thotë se nuk e di përmbajtjen, ai shton se beson tek iniciatorët.
“Unë besoj në aftësinë dhe motivimin e qeverive franceze e gjermane për të nxjerrë një iniciativë e cila do të zgjidhte një nga pengesat më të mëdha që qëndrojnë në rrugën e paqes së vërtetë në Evropën Juglindore”