Apple ka zyrtarizuar ngjarjen e vet të vjeshtës më 7 shtator, të quajtur “Far Out”, gjatë së cilës do të prezantojë gamën e re të iPhone 14 dhe më shumë.
Priten gjithashtu versioni i ri i “Apple Watch”, kufjet “AirPods Pro” dhe disponueshmëria e përditësimeve të sistemit operativ për telefonat inteligjentë, orët inteligjente dhe iPad.
Nuk ka gjasa që gjiganti teknologjik të publikojë syze apo mjete shikueshmërie të tjera të realitetit të shtuar dhe virtual. Në këtë pikë duhet të presim vitin 2023.
Përsa i përket iPhone 14 (kështu do të quhet iPhone i ri), prej kohësh flitet për katër modele të rinj me specifikime ndryshe nga ata në qarkullim. Përfundimisht i duhet thënë lamtumirë iPhone mini.
Thashethemet tregojnë gjithashtu ardhjen e tri orëve të reja: “Apple Watch 8”, “Apple Watch SE” dhe “Apple Watch” i pathyeshëm, krijuar për t’iu bërë ballë më shumë goditjeve dhe motit të keq.
Nuk do të mungojë edhe lançimi i “AirPods Pro” të ri. Në eventin e 7 shtatorit nuk do të ketë produkte të shumëpritura për realitetin e përzier, me të cilin gjigandi teknologjik hyn në këtë sektor.
Sipas analistit Ming Chi Kuo, bordi i drejtorëve të kompanisë duhej të testonte pajisjen në fillim të këtij viti, por nuk pritet të dalë në treg deri në janar 2023.