Blake Lemoine, inxhinieri i Google i cili publikisht pretendoi se inteligjenca artificiale e bashkëbisedimit LaMDA ka ndjenja, është pushuar nga puna, kjo sipas një buletini nga Big Technology, të cilët biseduan me Lemoine.
Gjatë qershorit, Google kishte suspenduar me pagesë Lemoine për shkak të shkeljes së marrëveshjes së mbajtjes së fshehtësisë pasi që ai kishte kontaktuar anëtarë të qeverisë në lidhje me shqetësimet e tij, dhe kanë punësuar një avokat për të përfaqësuar LaMDA-në, transmeton Telegrafi.
Një deklaratë e dërguar me postë elektronike tek The Verge gjatë së premtes nga zëdhënësi i Google, Brian Gabriel u duk se e konfirmoi pushimin e Lemoine nga puna, ku shkruhej “I dëshirojmë Blake të gjitha të mirat”.
Google pohon se i shqyrtoi gjerësisht pretendimet e Lemoine dhe se kishin zbuluar se ato janë “tërësisht të pabaza”.
Lemoine pretendon se bisedat e tij me “chatbot-in” LaMDA e bënë atë të besoj se ajo po bëhet më shumë se thjesht një program, dhe se ajo ka ndjenjat dhe mendimet e saja personale, në krahasim me prodhimin e thjeshtë të bisedës mjaft realiste për ta bërë atë të duket ashtu siç është krijuar për të bërë.
Ai e argumenton këtë duke thënë se studiuesit e Google duhet të kërkojnë përmbajtje nga LaMDA përpara se të kryejnë eksperimente mbi të.
Në fakt vet Lemoine ishte caktuar që të testonte nëse inteligjenca artificiale prodhonte gjuhë të urrejtjes, dhe publikoi disa pjesë të atyre bisedave si pjesë e provave në llogarinë e tij në Medium.