Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), kërkon nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që pas miratimit në parim të Buxhetit vjetor për vitin 2023, ndarjet buxhetore për institucionet e drejtësisë të ndryshohen në atë mënyrë që të përmbushen zotimet e institucioneve të drejtësisë.
IKD konsideron se buxheti i propozuar për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Këshillin Prokurorial dhe për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit nuk i plotëson dhe nuk i përmirëson shërbimet dhe kërkesat ligjore që këto institucione duhet t’i përmbushin gjatë punës së tyre.
“IKD është në dijeni për kërkesat e KGjK-së, KPK-së dhe APK-së drejtuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, të cilat sipas ndarjeve buxhetore nuk janë adresuar në mënyrë të drejtë. Kërkesa e KGjK-së për buxhet total në shumën prej 40 milionë euro, për staf shtesë prej katër gjyqtarë në Gjykatën Komerciale, për 23 gjyqtarë në gjykatat e rregullta, për shtimin e 137 bashkëpunëtorëve profesionalë dhe 49 zyrtarëve ligjore nuk është përfshirë në këto ndarje buxhetore. Buxheti i planifikuar për vitin 2023 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës prej 34,155,572.00 euro është 5,844,428 euro më pak se sa kërkesa e KGjK-së. Kërkesa e KPK-së për buxhet total në shumën prej 21,267,000 euro, nuk është adresuar konform kërkesës të këtij institucioni. Kërkesa e tyre ka pasur të bëjë që në kategorinë pagat dhe mëditje shuma totale të jetë prej 15 milionë e 599 mijë euro, në kategorinë mallra dhe shërbime prej 3 milionë e 958 mijë euro, kategorinë shpenzimet komunale 199 mijë euro, si dhe në kategorinë shpenzimet kapitale në vlerë prej 1 milion e 500 mijë euro. Buxheti i planifikuar për Këshillin Prokurorial të Kosovës vitin 2023 prej 15,913,983.00 euro është 5,353,017 euro më pak se sa kërkesa e KPK-së. Kërkesa e APK-së, për rritje të stafit prej 50% në raport me stafin aktual, dhe atë që kjo rritje të bëhet në mënyrë të përshkallëzuar, 15 punëtorë të rinj në vitin 2023 dhe më tutje. Buxheti i planifikuar për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2023 prej 557,844.00 euro është 12,066 euro më shumë se sa në vitin 2022, por kërkesat për staf shtesë të pa adresuara”, thuhet në një komunikatë për media.
Sipas IKD-së, këto ndarje buxhetore të dorëzuara tashmë në Kuvendin e Kosovës, do të diskutohen në seancën e sotme plenare (18 nëntor 2022).
“Nga buxheti vjetor prej rreth 2,492,504,804 euro për vitin 2023 për të gjitha institucionet, pjesëmarrja totale në buxhet e Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial të Kosovës, dhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit përbën 3,47 % e këtij buxheti. Në raport me totalin e shpenzimeve të parashikuara prej 3,212 miliardë euro, për vitin 2023, atëherë pjesëmarrja e katër institucioneve përbën 2.7% të shpenzimeve të buxhetit. Fillimisht, duhet theksuar faktin se mungesa e rezultateve të sistemit të drejtësisë nuk është vetëm si pasojë e mungesës së resurseve financiare për këtë sektor. Siç e kemi thënë vazhdimisht, mungesa e rezultateve të sistemit të drejtësisë, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të profilit të lartë ndërlidhet me mungesën e vullnetit për të luftuar këto dukuri kriminale. Por, mungesa e resurseve financiare është domosdoshmërisht njëra prej arsyeve të mungesës së efikasitetit. Më tutje, duhet të ri-theksojmë faktin se për ngritjen e efikasitetit të sistemit të drejtësisë nuk është i mjaftueshëm vetëm ngritja e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Krahas ngritjes së numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve kërkohet domosdoshmërisht edhe staf i mjaftueshëm mbështetës, në mënyrë që gjyqtarët dhe prokurorët të kenë mundësi që punën e tyre ta kryejnë në mënyrë efikase. Sipas Ligjit për Gjykatat dhe Ligji për Prokurorin e Shtetit, secili gjyqtar dhe prokuror duhet ta ketë nga një bashkëpunëtorë profesional. Ky obligim ligjor ende nuk është përmbushur në plotëni, për shkak të mungesës së buxhetit të mjaftueshëm për KGJK dhe KPK. Për më tepër, ne gjatë monitorimit shohim se ka gjyqtarë të cilët përpos se nuk kanë bashkëpunëtorë profesional nuk kanë as zyrtarë ligjor. Kështu, krahas gjykimit të rasteve, të njëjtit obligohen që të kryejnë edhe të gjitha punët e tjera administrative dhe rrjedhimisht bie edhe efikasiteti i gjyqtarit. E gjithë kjo ndodhë për faktin se nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të rekrutuar mjaftueshëm staf për sistemin e drejtësisë. Po ashtu, ka edhe obligime të tjera të cilat në mungesë të resurseve financiare nuk mund të zbatohen nga KGJK dhe KPK. Marrim shembull transparencën. Sipas ligjit, gjykatat obligohen që brenda 60 ditëve t’i publikojnë të gjitha aktgjykimet e plotfuqishme. Ndonëse ka një progres të konsiderueshëm në këtë drejtim, zbatimi i këtij obligimi ligjor sfidohet nga mungesa e stafit, e cila mungesë vjen si rezultat i pamjaftueshmërisë financiare për të rekrutuar pozita të reja”, thuhet në komunikatë.
Sipas IKD-së, mbi të gjitha këto nevoja, projekt buxheti për vitin 2023 nuk tregon progres të kënaqshëm në këtë drejtim dhe duket se nuk e ka fokus të ngritjes së kapaciteteve të sistemit të drejtësisë, përkundër faktit se ky buxhet konsiderohet si buxheti më i madh që ka pasur Kosova deri tash.
IKD thekson se rritja e pamjaftueshme e buxhetit për sistemin gjyqësor, ulja e buxhetit për Këshillin Prokurorial dhe mos ngritja e buxhetit për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit flasin për mos përmbushje të premtimeve të paraqitura në programin qeverisës me të cilin partia në pushtet kishte garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.