Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), përmes të cilit “është amnistuar trupi gjykues i cili kishte përdorur gjuhë seksiste dhe paragjykuese ndaj të dëmtuarës në një aktgjykim”.
Në reagimin e IKD-së thuhet se Gjykata Themelore në Gjilan i kishte liruar nga akuza pesë të dyshuar për dhunimin e një 19-vjeçareje, duke përdorur gjuhë seksiste dhe arsyetim absurd.
Në arsyetimin e saj, Gjykata theksonte se “viktima ka pranuar të udhëtojë me taksi me të akuzuarin, përkundër se e ka ditur se ai është i gjinisë mashkullore,” duke e cilësuar viktimën si “person me shprehi vërtetë jo të mira sidomos në aspektin moral.” Po ashtu, Gjykata kishte konstatuar se “të jesh në një hapësirë banimi me persona të ri, vetvetiu nënkupton se viktima ka qenë e pajtimit që me ta edhe të lëshohet në aventura seksuale.”
“Lidhur me këtë rast, Kryetari i Gjykatës Supreme Enver Peci kishte iniciuar në KGJK kërkesë për fillimin e hetimeve disiplinore ndaj kryetarit të trupit gjykues (i cili e kishte përpiluar aktgjykimin) Aziz Shaqiri dhe dy anëtarëve të trupit gjykues, Ramiz Aziqi dhe Naser Maliqi”, thuhet në komunikatën për media.
Por, KGJK-ja sipas këtij instituti, kundërligjshëm e ka hedhur poshtë këtë rast, me arsyetimin se shkelja e supozuar disiplinore ka arritur parashkrimin absolut.
“[E] në rastin konkret ka ardhur deri te parashkrimi absolut i shkeljeve disiplinore të pretenduara për të tre (3) subjektet e këtij hetimi disiplinor. Nga koha e nxjerrjes së Aktgjykimit përkatës PKR.nr.200/2014, të datës 24 mars dhe 28 korrik 2017, kur pretendohet se ka ndodhur shkelja disiplinore e deri me fillimin e hetimit disiplinor ndaj këtyre subjekteve ka kaluar me tepër se dy (2) vite, ndërsa Ligji Nr.05/L-003 për Plotësim Ndryshim të Ligjit Nr.03/L-223, për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, i cili ka qene në fuqi në kohën kur pretendohet se ka ndodhur shkelja disiplinore, me nenin 15, paragrafi 1 (5), kishte paraparë se procedura disiplinore nuk mund të filloj dhe të zhvillohet në Komisionin Disiplinor pasi të kaloj afati një (1) vjeçar nga njoftimi i pranuar ne Zyrën e Prokurorit Disiplinor për shkeljen e supozuar dhe dy (2) vite nga dita e shkeljes së supozuar,” thuhet në vendimin e publikuar nga KGJK.
Ky vendim i KGJK-së është i pabazë sipas Institutit për Drejtësi.
“Ligji Nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve ka hyrë në fuqi më 10 janar 2019. Ky Ligj [neni 10] përcakton se afati i parashkrimit të shkeljes disiplinore është 5 vite. Pikërisht kjo dispozitë është dashur të aplikohej në rastin konkret, e jo dispozita që tanimë është e shfuqizuar e të cilës i referohet KGJK. Kjo pasi ky Ligj [neni 17.4] përcakton se ‘[m]e hyrjen në fuqi të këtij ligji, të gjitha ankesat lidhur me shkeljet e supozuara disiplinore, përfshirë ato që pretendohet të jenë kryer para hyrjes në fuqi të këtij ligji, por për të cilat nuk ka filluar hetimi, para hyrjes në fuqi të këtij ligji, do të procedohen nga autoritetet kompetente dhe këshillat, në pajtim me këtë ligj’”.
“Kështu, në rastin konkret, ligji është plotësisht i qartë, se edhe në rastet kur shkeljet e supozuara disiplinore kanë ndodhur para hyrjes në fuqi të ligjit të ri por për të cilat nuk ka filluar procedura (që është rasti konkret) vlejnë dispozitat e ligjit të ri, ku bën pjesë edhe afati i parashkrimit”.
“Në këtë mënyrë, KGJK përmes një vendimi të tillë ka amnistuar gjuhën seksiste të përdorur në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan. KGJK nuk jep ndonjë arsyetim se përse dispozita ligjore në fuqi, e cila parasheh afat pesëvjeçar të parashkrimit, nuk është zbatuar. IKD vlerëson se kjo qasje e KGJK është skandaloze dhe paraqet të kundërtën e llogaridhënies, duke përbërë një kthim mbrapa në progresin e arritur’.
IKD-ja tutje shton se për shkak të këtij rasti dhe rasteve të tjera të ngjashme që kanë ndodhur në të kaluarën, vazhdon të insistojë se vetingu në sistemin e drejtësisë është i domosdoshëm.
“Siç është theksuar edhe në të kaluarën, arsyeja se pse në Kosovë duhet të ndodhë vetingu nuk janë thjesht shkeljet individuale, por dështimi i mekanizmave të brendshëm të kontrollit për të adresuar ato shkelje, siç ka ndodhur në rastin konkret”.