Me Projektligjin e Buxhetit për vitin 2023 Qeveria parasheh që nëse të hyrat vetanake të një komune nuk shpenzohen gjatë një viti, ato do t’i merren dhe t’i dhurohen komunave tjera ose të përdoren në nivelin qendror.
Në lidhje me këtë çështje, kryetari i Anotacionit të Komunave të Kosovës Sazan Ibrahimi, tha se Qeveria e po bie ndesh me dy ligje që rregullojnë funksionimin e komunave.
Ai tha se kjo është hera e parë në histori të Kosovës që një Qeveri i merr të hyrat vetanake të një komune.
“Qeveria në mënyrë të pa drejt, pa koordinim me komunat, pa as një koordinim me Asociacionin e Komunave të Kosovës ka ndërmarr një veprim ku në Projektligjin për ndarjet buxhetore të vitit 2023 në nenin 9 ka futur pikën 6 që mjetet financiare të cilat komunat nuk i kanë shpenzuar deri në përfundim të vitit të kaluar t’i merren. Nëse bëhet një veprim i tillë bije ndesh me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe me Ligjin për financat lokale”, tha ai.
Sipas Ibrahimit me këtë vendim Qeveria është duke i penalizuar komunat dhe se kërkojnë që ky nen të hiqet.
Ai shtoi se nëse kjo ndodh, atëherë do të ndërmerren masa ligjore pasi sipas tij, është e pa drejtë dhe jo ligjore që mjetet e një komune që janë dhuruar nga qytetarët t’i merren dhe t’i dhurohen një komune tjetër apo nivelit qendror.
“Komunat e kanë autonomin e plotë në baze të këtyre dy ligjeve që mjetet të cilat burojnë nga të hyrat vetanake edhe nëse nuk shpenzohen të barten në vitin e ardhshëm. Në bazë të analizave tona këtu janë më dhjetar miliona euro. Qeveria e Kosovës është duke i penalizuar komunat. Ne kërkojmë që qeveria ta heqë atë pik, sepse kjo është e pa drejtë, nëse një veprim i tillë do të ndodh atëherë kryetarët e komunave dhe AKK-ja do të ndërmarrin nisma ligjore që kjo të ndalohet”.
“Kjo është e padrejte dhe është antiligjore, në historinë e Republikës së Kosovës është qeveria parë e cila mundohet që të hyrat vetanake të komunave t’i marr dhe t’i transferoj ato në nivel qendror, është e pa drejt që mjetet e një komune t’i merren dhe t’i dhurohen një komune tjetër, sepse ato mjete janë marr nga qytetarët e asaj komune përkatëse dhe për këtë arsye duhet qind për qind i dedikohen qytetarëve të cilët jetojnë në ato komuna, e jo të shpërndahen në komuna tjera apo për nevoja të nivelit qendror sepse po e shohim se niveli qendror nuk është duke i harxhuar mjetet për investime kapitale”, tha ai, raporton EO.