Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, vlerëson se pas datës 31 tetor nëse nuk ka ndonjë zgjidhje mund të ketë përsëri tensione.
“Moszgjidhja e situatës mund të sjellë tensione, pasi realisht ekstremi serb është i lidhur direkt me Qeverinë e Serbisë. Ata i dirigjojnë, ata i diktojnë në kuptimin e asaj kur i ngrisin ato inskenimet siç e kemi parë me herët me bllokim të rrugëve, protesta me të gjitha ato”, është shprehur Ibishi, për Front Online.
Ai, kërkon që edhe nëse vjen deri e shtyrja e afatit, ky i fundit të jetë në kohë më të shkurtë sesa që po kërkohet.
“Mendoj, nëse eventualisht vije deri të rishikimi i mundësisë së zgjatjes ai duhet të kufizohet në kohë më të shkurtë dhe me mundësinë që të bëhet zgjidhja jo vetëm të shkohet nga rasti në rast, sepse kjo po ngjan si në kohën e UNMIK-ut. Ne e kemi marrëveshjen e nënshkruar mes dy palëve, dhe nëse eventualisht do të vie deri në një shtyrje të jetë për një afat sa më të shkurtë e jo ashtu siç po kërkohet”, ka thënë ndër të tjera Ibishi.
Ibishi, thotë se afati prej dy muajve ka qenë i mjaftueshëm, por se nuk është shfrytëzuar siç duhet për shkak se serbët kanë qenë nën ndikim të Beogradit dhe e kanë injoruar një gjë të tillë.
Që ka pasur afat të mjaftueshëm prej dy muajsh dje ka deklaruar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
“Sa i përket një pakice të vogël që nuk i ka konvertuar akoma targat e i shfrytëzojnë ato të kohës së Millosheviqit, kërkesa jonë është të respektohet ligji. Ka pasur afat të mjaftueshëm që ky konvertim të bëhet, për këtë numër të vogël të qytetarëve që nuk e kanë bërë, në përputhje të plotë me atë që e kërkon legjislacioni vendor, por edhe praktikat ndërkombëtare”, ka thënë gjatë ditës së djeshme presidentja Osmani.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka deklaruar se që nga fillimi i këtij procesi i kanë rekomanduar Qeverisë së Kosovës, që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrim.
Serbet e Kosovës deri më tani kanë treguar pak interesim për ndërrimin e tyre.
Deri më tani numri i atyre që i kanë konvertuar targat është më pak se 20.