Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës i kanë reaguar bashkë deputetit të Lëvizjës Vetëvendosje, Dimal Basha, i cili krahasoi gjyqtarë dhe prokurorë kosovarë me ata të kohës së lider famkeq serb, Sllobodan Millosheviqit.
Një shkrim i Bashës më datë 24 qershor, i ka shtyrë KGJK-në dhe KPK-në të dalin me një deklarim të përbashkët, ku e dënojnë gjuhën e deputetit, shkruan Gazeta Express.
“KGJK dhe KPK, shprehin pakënaqësi dhe konsiderojnë se deklarata e deputetit Basha është e papranueshme dhe ka për qëllim cenimin e integritetit, pavarësisë dhe dëmtimin e imazhit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial në përgjithësi. Një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të jetë shembull i respektimit të organeve zbatuese të ligjit dhe të përmbahet nga deklarimet e tilla që janë kundërshtim me rendin dhe parimet kushtetuese e ligjore”, thuhet në reagim.
Këto dy sisteme u kanë kërkuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të respektojnë pavarësinë e tyre.
“Deklaratat dhe reagimet e tilla, nuk i kontribuojnë bashkëpunimit të institucioneve me sistemin gjyqësor dhe prokurorial prandaj, KGJK dhe KPK, u bëjnë thirrje deputetëve që të kontribuojnë duke reflektuar dhe duke respektuar pavarësinë e të dy sistemeve. Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, i sigurojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se do të vazhdojnë të angazhohen për një sistem gjyqësor dhe prokurorial të pavarur, transparent dhe të paanshëm”.
“Prandaj, i bëjmë thirrje Deputetit Basha që të eviton këtë lloj të deklaratave, e cila në këtë rast sipas vlerësimit të KGJK-së dhe KPK-së, është fyese, denigruese si dhe përpjekje e pasuksesshme për njollosje dhe etiketim të vlerave për sistemin gjyqësor dhe prokurorial në përgjithësi”, vazhdon reagimi.
Para disa ditësh, deputeti Basha kishte vendosur të merret enkas me prokurorë dhe gjyqtarë dhe mendimet e veta i kishte shpalosur në një postim në Facebook. Ndër të tjera, aty i krahasonte prokurorët dhe gjyqtarët me ata të kohës së Millosheviqit.