Plani i emergjencës së Bashkimit Evropian për t’i paraprirë ndërprerjes së mundshme të furnizimeve me gazin rus do të hyjë në fuqi sot, pas publikimit të tij një ditë më parë në Fletoren Zyrtare të BE-së.
Në bazë të planit, vendet anëtare të bllokut angazhohen vullnetarisht që nga 1 gushti deri m 31 mars të vitit të ardhshëm të pakësojnë me 15% të konsumit të gazit, krahasuar me konsumim mesatar gjatë së njëjtës periudhë në pesë vitet e fundit.
Sipas përllogaritjeve të Komisionit Evropian, synimi është që përmes këtij plani të kursehen 45 miliardë metër kub gaz. Vetëm Gjermanisë do t’i duhet konsumojë rreth 10 miliardë metër kub gaz më pak.
Synimi i planit për kursimin e gazit është përgatitja për mundësinë e një ndërprerjeje të plotë të furnizimeve me gazin rus për vendet anëtare të BE-së, pasi Moska ka pakësuar ndjeshëm furnizimet e bllokut me gazin e saj gjatë muajve të fundit.
Plani i ri i kontingjencës gjithashtu parashikon mundësinë e vendosjes së kuotave të detyrueshme të kursimit të gazit në të gjithë BE-në në rast mungese të madhe të furnizimeve me gaz.
Të paktën 15 vende anëtare të BE-së, që përfaqësojnë më shumë se 65% të popullsisë së përgjithshme të bllokut do të duhet të japin miratimin e tyre për aktivizimin e alarmit për uljen e detyrueshme të konsumit të gazit.
Disa vende anëtare, ndër to Italia dhe Spanja, kanë siguruar përjashtimin nga një situatë e tillë, dhe do t’u duhet të kursejnë më pak se 15% të konsumit. Plani i emergjencës fillimisht do të jetë në fuqi për një vit.