Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se samiti i fundit i BE-së ishte dështim për Kosovën dhe Ballkanin. Ai ka kërkuar nga kryeministri që të mos merret me prodhimin e lajmeve, por siç tha ai, me politika të duhura për përmbylljen e çështjeve të mëdha të Kosovës.
Në organin më të lartë legjislativ, deputeti i PDK-së kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që të t’iu dërgohet me shkrim zyrtarisht institucioneve të BE-së se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizim të vizave.
“Samiti i fundit i BE-së ishte një samit i dështimit edhe për Kosovën edhe për Ballkanin. Unë po kërkoj prej kryeministrit që ai edhe qeveria e tij të mos prodhojnë lajme, por të prodhojnë politika. Se ka dallim të madh a prodhon dikush lajm apo politik. Dhe kërkoj prej kryeministrit dhe qeverisë që gjitha institucionet e BE-së dhe gjitha shteteve anëtare t’iu dërgohet me shkrim zyrtarisht se Kosova i ka plotësuar nga viti 2018 disa herë kriteret për liberalizim të vizave. Meqë lajmet që i prodhojmë në Prishtinë nuk janë lajme të cilat i lexojmë në Bruksel dhe diku tjetër”, ka deklaruar Hoxhaj.
Mes tjerash, Hoxhaj ka folur edhe për samitin e NATO-s, ku theksoi se Kosova nuk ka qenë e ftuar as teknikisht.
“Fakti që në samitin e fundit të NATO-s, as nuk u ftuam të jemi teknikisht aty, e lërë më të ftohemi që të marrim partneritetin për paqe, tregoj që kjo qeveri ka nevojë të lëviz prej lajmeve në prodhim të politikave”, ka shtuar ai.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj shtoi se qeveria dhe kryeministri mos të merren më me çështje teknike e dialog teknik, por çështje të cilat e përmbyllin shtet ndërtimin e Kosovës.
“Tabela kryesore për të cilën duhet të lufton Republika e Kosovës është anëtarësimi në OKB. Atje duhet ta ngrisim ne tabelën e shtetit të Kosovës dhe atje varet se si sillemi reciprokisht në raport me Serbinë. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm kur hjek dorë kryeministri prej prodhimit të lajmeve dhe angazhohet në prodhimin e politikave dhe dialogu është natyrisht një politikë e gjitha subjekteve politike në Kosovë… Po kërkoj që qeveria dhe kryeministri mos të merren më me çështje teknike, mos të merremi me një dialog teknik, me çështje të cilat prodhojnë lajme, por çështje të cilat e përmbyllin shtet ndërtimin e Kosovës dhe unë mendoj që kjo do të duhej të ishte tema kryesore që duhet të merret edhe ky kuvend dhe qeveria që ka marrë mandatin e qytetarëve të Kosovës që të mbyll temat e mëdha”, ka deklaruar ai.