Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha pas mosmiratimit të Rezolutës së propozuar për grevat nga Grupi Parlamentar i kësaj partie, ka bërë thirrje që Qeveria e Kosovës dhe SBASHK t’i përafrojnë qëndrimet dhe të gjejnë zgjidhje për këtë bllokadë.
Hoxha në një konferencë për media, tha se Qeveria e Kosovës nuk shqetësohet fare për mbi 300 mijë nxënës që nuk po shkojnë në shkollë.
“As kjo rezolutë sot nuk u votua në Kuvendin e Kosovës. Përderisa mendoj që kjo mund të ketë qenë një javë vendimtare për gjetjen e zgjidhjes, sepse edhe në Komisionin për Arsim dhe Kulturë tentuam që të kemi diskutim, kushtimisht ta them, por që edhe pardje edhe sot u pa sa e pavullnetshme dhe sa jo e gatshme është Qeveria e Kosovës për të gjetur një zgjidhje në favor të të dy palëve”, tha ajo.
Hoxha i bëri thirrje kryeministrit Kurti, ministres së arsimit dhe ministrit të financave që me urgjence të gjejnë një zgjidhje dhe t’i dëgjojnë kërkesat dhe nevojat e mësimdhënësve.
“Krejt çka kemi pa deri sot nga kjo qeveri është nëpërkëmbje e dinjitetit të mësimdhënësit, përbuzje, ofendime, përçarje. Dhe pikërisht kjo lloj gjuhe, kjo lloj qasjeje nuk mund të jetë në funksion të gjetjes së zgjidhjes. Andaj sot nga këtu e ftoj kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ministren e arsimit, znj. Nagavci, ministrin e financave, z. Murati, që të ulen me urgjencë gjatë javës, jo gjatë vikendit që t’i përafrojnë qëndrimet dhe të gjejnë një zgjidhje”, kërkoi Hoxha.