Gjatë fundjavës në Prishtinë do të mbahet marshi për drejtësi në mbështetje të ish- krerëve të UÇK-së që janë duke u gjykuar në Hagë, organizuar nga platforma “Liria ka emër”.
Një nga organizatoret e këtij marshi, Eliza Hoxha, ka thënë se organizimi nuk është politik, por sipas saj është mbështetje për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, të cilët po gjykohen padrejtësisht.
Vendimet që merren atje sipas Hoxhës mund të ndikojnë edhe në të ardhmen e Kosovës.
“Sepse marshi nuk është politik, është demonstrim i solidarizimit dhe mbështetjes për ata që janë në Hagë, atje ku në fund fare nuk diskutohet vetëm e kaluara, por vendimet që do të merren mund ta prekin edhe të ardhmen e Kosovës por edhe atyre që do të lindin në një kohë tjetër”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se të gjitha partitë politike janë të mirëseardhura të bashkëngjiten dhe se sipas saj ftesa është publike për të gjithë ata që kanë dëshirë të marrin pjesë.