Ambasadori në largim i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se së bashku kanë forcuar partneritetin e qëndrueshëm mes popullit të SHBA-së dhe të Kosovës.
Hovenier përmes në video mesazhi në rrjetin social në Facebook ka thënë se ky vit ishte vit i të arriturave të rëndësishme për Kosovën.
“Përderisa po e përmbyllim 2024-n, dëshiroj të shfrytëzoj rastin për të reflektuar për vitin e shkuar. Ishte edhe një vit i të arriturave të rëndësishme për Kosovën. Së bashku kemi forcuar partneritetin e qëndrueshëm mes popullit të SHBA-së dhe të Kosovës. Disa prej të arriturave përfshijnë: fillimin e Programit Kompakt të Koorporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit të SHBA-së, që mundëson investimin e 236 milionë dollarëve në sigurinë dhe sistemet e ruajtjes së energjisë të Kosovës duke ndihmuar në krijimin e të ardhmes më të qëndrueshme për Kosovën.
Vizitën e nënsekretares së Shtetit për Diplomaci Publike dhe Marrëdhënie me Publikun, Liz Allen, e cila nënshkroi një marrëveshje dypalëshe me presidenten Osmani për të rritur bashkëpunimin në luftën kundër ndikimit të huaj dhe manipulimit në media”, ka thënë ai.
Ai po ashtu shtoi se do ta kujtojë gjithmonë kremtimin e 4 korrikut të këtij viti në Ambasadën e ShBA-së.
“Të gjithë ne refuzuam të lejonim shiun e rrëmbyeshëm të pamundësonte të festonim dhe të kërcenim së bashku. Dhjetori shënon përfundimin e shërbimit tim si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës. Ju falënderoj të gjithë ju, popullin e Kosovës për miqësinë dhe mikpritjen. Jam krenar për atë që kemi arritur së bashku”.
“E lë këtë detyre duke e ditur se e ardhmja e Kosovës është e ndritshme dhe mundësitë e saj janë të pafundme”, tha ambasadori Hovenier. /Telegrafi/