Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë Kurti për gjendjen ekonomike, duke thënë se krizat që erdhën i menaxhoi në mënyrë kaotike.
Ai tha se tërheqja e mjeteve nga Trusti nuk është zgjidhje e mirë, por se s’ka tjetër.
“Me gjithë këto kriza dhe kur mbështetja e Qeverisë mungon është e natyrshme që opozita të propozojë masa siç është tërheqja e kursimeve pensionale nga Trusti. Kjo nuk është zgjidhja e duhur. Gjithkush e ka të qartë që s’mund të kalohet kriza ekonomike dhe sociale me tërheqjen e mjeteve të Trustit pensional. Por, është zgjidhja e vetme që ka mbetur në dispozicion të qytetarëve”.
Ai tha se, derisa bilanci bankar shkoi në 700 milionë, kanë propozuar që të rriten pagat në sektorin publik, së paku në normën e inflacionit, të rritet paga minimale në sektorin privat, për të cilën tha se e nisën këtë iniciativë dhe “e harruat sepse hyrët në eksperimente dhe fyerje të veteranëve”.
“Nuk ka pasë intervenim të fuqishëm të Qeverisë për të mbrojtur familjet që janë prekur nga inflacioni. Kriza energjetike na është imponuar por është menaxhuar në mënyrë kaotike nga Qeveria. Qeveria çdo 60 ditë shpall gjendje emergjente, por pa asnjë efekt”.
Hoti u shpreh kritik edhe për menaxhimin me krizën e çmimit të naftës, duke thënë se norma e TVSH nuk u ndryshua.
“Qytetarëve iu dyfishua ngarkesa tatimore. Qeveria do të mblidhte njësoj të hyra sikur ta përgjysmonte TVSH-në në naftë”.
Ish-kryeministri Hoti tha se kur vendi përballet me krizë – duhet të shpenzohet sa më shumë, por se Qeveria Kurti e bëri të kundërtën.