Frazës se “ia kemi thyer rekordin vetes” të qeverisë kosovare, ish-kryeministri Avdullah Hoti ia shtoi një tjetër “rekord” – atë të “thellimit të deficitit tregtar” për periudhën kohore janar-gusht 2021 me janar-gusht 2022, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Hoti në seancën e së premtes foli për tri çështje të tregtisë me jashtë, ku elaboroi, siç tha ai, rekordin në deficitin tregtar, rritjen e importeve e në veçanti të importeve nga Serbia, si dhe çështjen e arkëtimit më të madh të naftës së importuar, mjete këto për të cilat, sipas tij, janë mbajtur mbyllur në bilanc bankar të qeverisë dhe zhvleftësuar nga inflacioni.
“E para, thellimi i deficitit tregtar, për periudhën janar-gusht, 2022 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Eksportet e Kosovës janë rritur për 150 milionë, por importet janë rritur për 800 milionë. Dhe kjo ka e ka çuar deficitit tregtar në 3 miliardë, që është 56 përqind më i madh se i vitit paraprak, dhe këtu ia keni thyer rekordin vetes, pasi që kështu po i interpretoni këto çështje”.
“E dyta, nëse i shihni importet vetëme me vendet e rajonit, po e marrë vetëm muajin gusht të këtij vitit me atë të vitit paraprak, do ta shihni se nga Shqipëria importet janë zvogëluar për 10 përqind, nga Sebria janë rritur me 30 përqind. E për këtë ju do të thoni se Kosova ka ekonomi të hapur e ekonomi të tregut. Në rregull, por ekonomi të tregut ka pasur edhe në kohën kur i rrokullisnit kamionat me mallra që vinin nga Serbia”, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Dhe e treta, që është shumë e rëndësishme, tek rritja e të hyrave që është rezultat i tregtimit të jashtëm. Statistikat tregojnë se vetëm në rastin e naftës, se vitin e kaluar në këtë periudhë të njëjtë kohore janë importuar 540 milionë litra, dhe janë arkëtuar vetëm 220 milionë euro, sivjet për të njëjtën periudhë janë importuar 500 milionë litra që është 8 përqind më pçak, por janë arkëtuar 427 milionë euro që është dyfish më shumë; që është 227 milionë euro më shunë. Ku kanë shkuar këto mjete. Të gjitha kane shkuar në bilancin bankar të qeverisë. ‘Çka keni bërë me këto mjete?”, vazhdoi Hoti.
Hoti tha se inflacioni i ka gërryer këto mjete të cilat do të mund të kishin qenë shpërndarë në ekonominë e vendit dhe të qytetarëve.
Ai tha se këto shifrja “arsyetojnë krejtësisht” propozimet që kishte bërë LDK-ja për heqjen e përkohshme të akcizës së naftës dhe zbritjen e TVSH-së për mallrat bazë.
“Po të ishin zbatuar sot ato, qytetarët dhe bizneset do të kishin 227 milionë euro në llogaritë dhe xhepat e tyre, e këto mjete nuk do të rrinin e të zhveleftësoheshin nga inflacioni”, përfundoi Avdullah Hoti.