Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Qeveria Kurti po i mban 210 milionë euro pa nevojë, dhe duke mos i investuar, atyre po u humb vlera nga inflacioni.
Me anë të një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se sikurse atom jete të qarkullonin në ekonomi do të shumoheshin dy apo tre herë, shkruan lajmi.net.
“Në një situatë inflacioni tepër të lartë, dhe me afër 600 milionë euro para të gatshme në llogari, është e papranueshme pse Qeveria nuk i indekson pensionet, skemat sociale, pagat dhe subvencionet në bujqësi sipas normës së inflacionit. Për më tepër, nuk e heq përkohësisht as akcizën në derivate për të ulur çmimin e derivateve dhe, rrjedhimisht, të shumë produkteve të tjera, çmimi i të cilave ndikohet shumë nga kostot e transportit”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se kjo situatë sipas tij paraqet papërgjegjësi dhe paaftësi për të udhëhequr.
Postimi i plotë i Hotit:
Bilanci bankar i Qeverisë më 30 qershor 2022 ka arritur gati 600 milionë euro, që është afër 7% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Kjo është shumë përtej kufirit të bilancit bankar të nevojshëm që duhet të ketë Qeveria për të qenë mjaftueshëm likuide, që është rreth 4.5% e PBB-së apo rreth 390 milionë euro.
Ky nivel ka i lartë i bilancit bankar nënkupton se Qeveria po mban rreth 210 milionë euro pa asnjë nevojë, të cilat mjete po devalvohen edhe nga inflacioni i lartë. Sikur këto mjete të qarkullonin në ekonomi, ato do të multiplikoheshin dy deri në tre herë, duke rritur kështu kërkesën agregate dhe rrjedhimit të ardhurat, konsumin dhe punësimin.
Në një situatë inflacioni tepër të lartë, dhe me afër 600 milionë euro para të gatshme në llogari, është e papranueshme pse Qeveria nuk i indekson pensionet, skemat sociale, pagat dhe subvencionet në bujqësi sipas normës së inflacionit. Për më tepër, nuk e heq përkohësisht as akcizën në derivate për të ulur çmimin e derivateve dhe, rrjedhimisht, të shumë produkteve të tjera, çmimi i të cilave ndikohet shumë nga kostot e transportit.
Përse duhet Qeveria të mbajë 600 milion euro në llogarinë e saj bankare?! Pres që ekonomistët e qeverisë të shpejgojnë këtë për qytetarët.
Kjo gjendje paraqet papërgjegjësi dhe paaftësi për të udhëhequr shtet – e kam fjalën për shtet me ekonomi të tregut.
Ky nivel i bilancit bankar të Qeverisë përbën edhe abuzim me detyrën, pasi ligji i jep të drejtë Qeverisë të mbledh tatime, por duke ruajtur barazpeshën sociale dhe ekonomike.